Një grup shkencëtarësh kinezë ka paraqitur një propozim ambicioz për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët që mund të rrezikojnë planetin.
Të lidhura
None found
Plani parashikon përdorimin e sondave hapësinore dhe të një shpërthimi bërthamor të kontrolluar, me synimin për ta asgjësuar asteroidin përpara se ai të afrohet me Tokën, raportojnë mediat.
Projekti është hartuar nga studiues të China Rocket Research Institute në Pekin dhe, sipas gazetës South China Morning Post, lidhet me përpjekjet e Kinës për të forcuar kapacitetet e saj në fushën e mbrojtjes planetare.
Operacioni do të zhvillohej përmes dy hapave të njëpasnjëshëm.
Në fazën e parë, një sondë do të përplasej me asteroidin për të krijuar një krater të madh në sipërfaqen e tij. Në fazën e dytë, një tjetër sondë do të vendoste një bombë bërthamore brenda kraterit, ku më pas do të kryhej shpërthimi për ta copëtuar asteroidin nga brenda.
Fuqia e parashikuar e shpërthimit arrin rreth tre megatonë, ose afërsisht sa 200 bomba atomike të përdorura në Hiroshimë.
Sipas vlerësimeve të studiuesve, kjo qasje do të ishte veçanërisht e dobishme për asteroidë të mëdhenj ose për objekte që zbulohen vetëm pak kohë përpara afrimit të tyre me Tokën.
Propozimi i Pekinit vjen pas misionit DART të NASA-s, i cili në vitin 2022 përplasi me qëllim një sondë me asteroidin Dimorphos për t’i ndryshuar trajektoren.
Gjatë atij misioni, shpejtësia e asteroidit u ndryshua me rreth 2,7 milimetra në sekondë, duke dëshmuar se devijimi i një objekti hapësinor është i realizueshëm nga pikëpamja teknike.
Megjithatë, studiuesit kinezë vlerësojnë se një metodë e tillë nuk do të mjaftonte për asteroidë shumë më të mëdhenj apo për trupa qiellorë të identifikuar shumë vonë. Për këto situata, ata e konsiderojnë shpërthimin bërthamor të kontrolluar si alternativën më efikase.
Gjatë viteve të fundit, Pekini ka rritur investimet në programet që synojnë mbrojtjen nga asteroidët.
Në fund të qershorit, autoritetet kineze njoftuan planet për ngritjen e një rrjeti kombëtar të paralajmërimit të hershëm për asteroidët. Kina është gjithashtu pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Paralajmërimit për Asteroidët (IAWN) dhe Grupit Këshillimor për Planifikimin e Misioneve Hapësinore (SMPAG) që prej vitit 2018.
Ndërkohë, në vitin 2022 u themelua Laboratori për Eksplorimin e Hapësirës së Thellë (DSEL). Institucioni drejtohet nga inxhinieri i njohur hapësinor Wu Weiren, i cili është një prej arkitektëve kryesorë të programit kinez për eksplorimin e Hënës.
