Ashley Garibay, 23 vjeçe, nga Stocktoni i Kalifornisë, është njëra prej viktimave të sulmit me armë që tronditi Idaho-n. E reja punonte në restorantin e sapohapur In-N-Out Burger, në qytetin Twin Falls, kur aty hyri i armatosur 24-vjeçari Chad Williams dhe qëlloi ndaj klientëve e punonjësve.
Të lidhura
None found
Vdekja e Garibay u bë e ditur nga familjarët dhe miqtë e saj, të cilët ndanë mesazhe prekëse në rrjetet sociale. “Zemra më thyhet kur shoh fotografitë e tua dhe e kuptoj se tani do të mbeten vetëm kujtime”, shkroi shoqja e saj, Alissa Juarez.
Në Facebook, nëna e 23-vjeçares, Sabrina Garibay, publikoi një fotografi ku shfaqej së bashku me vajzën e saj. Dhjetëra njerëz shprehën ngushëllimet dhe e përshkruan Ashley-n si një vajzë të sjellshme dhe plot jetë.
Dhimbjen për humbjen e punonjëses së re e shprehu edhe presidentja e In-N-Out Burger, Lynsi Snyder.
“Ajo kujdesej për pasurinë tonë më të rëndësishme – klientët tanë. Jeta e saj u mor nga një njeri që nuk vlerësonte jetën e të tjerëve dhe as të tijën. Do të qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë punonjësve që përjetuan këtë ngjarje tragjike”, deklaroi Snyder.
Ashley Garibay ishte një nga tre personat që u vranë gjatë sulmit. Në mesin e viktimave ishte edhe Cristopher Claunch, 59 vjeç, i cili po e vizitonte restorantin për herë të parë që prej hapjes së tij më 24 korrik.
Të shtënat u regjistruan rreth orës 14:00 të së shtunës. Shefi i Policisë së Twin Falls, Matthew Hicks, e cilësoi situatën në vendngjarje si “jashtëzakonisht kaotike”, duke bërë të ditur se sulmi filloi brenda restorantit dhe vijoi më pas në parking.
Sipas dëshmitarëve, autori doli nga zona e “drive-thru”-t duke mbajtur një armë të tipit AR. Në atë moment, ai u përball me të shtënat e dy qytetarëve të armatosur që ndodheshin në vendngjarje.
Autoritetet deklaruan se Chad Williams, 24 vjeç, kishte vepruar i vetëm. Pas shkëmbimit të zjarrit, ai u largua nga vendi, ndërsa më vonë u gjet i vdekur, pasi kishte marrë një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri.
Hetimet për përcaktimin e motivit të sulmit vazhdojnë. Ndërkohë, komuniteti i Twin Falls dhe familjet e viktimave po përballen me dhimbjen pas një prej ngjarjeve më të rënda të viteve të fundit në këtë zonë.
