Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale bënë të ditur të dielën se kanë identifikuar një tjetër lokacion në Zubin Potok, ku dyshohet se gjenden mbetje mortore.
Të lidhura
None found
Vendi u zbulua në fshatin Jabukë, në kuadër të hetimeve për rastin në Zubin Potok, njoftuan institucionet ligjzbatuese përmes një komunikate të përbashkët.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se lokacioni dyshohet të jetë një varrezë masive dhe se deri tani aty janë gjetur të paktën katër trupa.
“Sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tash janë zbuluar të paktën katër trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi”, deklaroi Sveçla para gazetarëve.
Juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi thotë se krimet e luftës, njësoj si gjenocidi, nuk i nënshtrohen parashkrimit. Sipas tij, çdo rast duhet të hetohet dhe të ndiqet penalisht kur ekzistojnë prova të mjaftueshme.
Kelmendi e konsideron zbulimin e varrezave masive një zhvillim me rëndësi për dokumentimin e krimeve dhe kërkon hetime të plota. Ai i cilëson shqetësuese deklaratat që mund të justifikojnë dëbimin e civilëve, ndërsa përcaktimin e përgjegjësisë ligjore e sheh si kompetencë të organeve të drejtësisë.
“Krimet e luftës janë ndër veprat më të rënda të së drejtës ndërkombëtare penale dhe, sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, ato nuk parashkruhen. Sa herë që paraqiten prova dhe dëshmi të mjaftueshme, autoritetet kompetente kanë detyrimin të hetojnë, të arrestojnë të dyshuarit dhe të zhvillojnë procedura penale ndaj individëve përgjegjës. Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa përgjegjësia e shteteve mund të trajtohet në mekanizmat përkatës të së drejtës ndërkombëtare, sipas juridiksionit dhe procedurave të parashikuara.
Gjenocidi konsiderohet krimi më i rëndë kundër njerëzimit. Ky krim ndalohet nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948), si dhe nga instrumente të tjera ndërkombëtare, mes tyre Katër Konventat e Gjenevës (1949) dhe Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Për shkak se nuk parashkruhen, autorët e këtyre veprave mund të ndiqen penalisht edhe shumë vite pas kryerjes së tyre.
Zbulimi i varrezave masive në territorin e Serbisë, përfshirë zonën e Zubin Potokut dhe lokacione të tjera ku janë gjetur mbetje mortore të viktimave të luftës në Kosovë, përbën një dëshmi të rëndësishme për hetimet. Këto raste kërkojnë procese të plota, profesionale dhe të pavarura, me qëllim identifikimin e përgjegjësve individualë. Ato tregojnë gjithashtu domosdoshmërinë e dokumentimit dhe ndjekjes pa vonesë të krimeve të kryera gjatë luftës.
Kelmendi i sheh si shqetësuese edhe deklaratat publike që mund të kuptohen si nxitje ose arsyetim për dëbimin e popullsisë civile. Ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në mbrojtje të një ministreje të Partisë Socialiste të Serbisë, kishte deklaruar: “Është për të ardhur keq që akuzohet një ministre vetëm pse tha se në kohën e luftës shqiptarët është dashur të shkonin në Shqipëri, nëse nuk e kanë pranuar shtetin serb.”
Sipas tij, analistë dhe organizata të shumta për të drejtat e njeriut i kanë cilësuar këto deklarata problematike, pasi ato mund të interpretohen si normalizim ose justifikim i dëbimit të civilëve. Megjithatë, vlerësimi nëse një deklaratë përbën dëshmi të një politike shtetërore apo të një krimi ndërkombëtar u takon institucioneve hetimore dhe gjyqësore, të cilat duhet të mbështeten në prova.
“Lufta në Kosovë la pas mijëra viktima. Sipas të dhënave të dokumentuara nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, mbi 13.000 persona u vranë, rreth 800.000 shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Edhe sot vazhdon kërkimi për qindra persona të zhdukur, ndërsa familjet e tyre ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve.
Pasojat e konfliktit në Kosovë vazhdojnë të ndihen, veçanërisht për shkak të numrit të viktimave dhe personave të zhdukur. Për këtë arsye, Kelmendi kërkon që hetimet për krimet e luftës të vazhdojnë, institucionet vendore të bashkëpunojnë me ato ndërkombëtare dhe përgjegjësit të përballen me ndjekje penale.
Prandaj, vazhdimi i hetimeve për krimet e luftës mbetet detyrim ligjor dhe moral. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm hetimesh dhe procedurash penale për krimet e luftës. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë do të ndihmonte në sigurimin e provave, identifikimin e autorëve dhe vendosjen e drejtësisë.
Njëkohësisht, institucionet shtetërore dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë duhet të vijojnë mbështetjen për dokumentimin e krimeve, gjetjen e varrezave masive dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës. Vetëm zbatimi i ligjit, ruajtja e së vërtetës dhe ndëshkimi i autorëve mund të krijojnë një paqe të qëndrueshme dhe të parandalojnë përsëritjen e krimeve të tilla.
Drejtësia për viktimat nuk përbën vetëm detyrim juridik, por edhe përgjegjësi morale ndaj historisë, familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre dhe brezave të ardhshëm. Ata meritojnë të jetojnë në një rajon ku krimet nuk mohohen, por hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin e vendit dhe konventat ndërkombëtare.
“Veprat e tilla nuk vjetërohen”, përfundon Kelmendi për “Bota sot”.
