Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” ka dalë me reagim publik pas raportimeve të fundit mediatike që lidhen me kryetarin aktual dhe ish-kryetarin e Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e saj, Kryesia e “Apolonias” bën të ditur se shkëputet në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar nga këto raste, pasi, sipas saj, veprime të tilla nuk pasqyrojnë parimet dhe normat etike të profesionit të stomatologut.
Reagimi lidhet me njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë për ngritjen e kallëzimeve penale ndaj tre personave. Autoritetet dyshojnë se kryetari aktual i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare ka ndikuar te kryetari i Komisionit për Provime Profesionale pranë Ministrisë së Shëndetësisë, duke i ofruar shpërblim financiar që një studenteje t’i mundësohej kalimi i paligjshëm i provimit profesional.
“Apolonia” nënvizon se hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe se parimi i prezumimit të pafajësisë mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar. Pavarësisht kësaj, Shoqata vlerëson se përmbajtja e dyshimeve të bëra publike është e patolerueshme dhe bie ndesh me etikën profesionale.
Në të njëjtin reagim trajtohet edhe çështja e ish-kryetarit të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare, i cili mban njëkohësisht postin e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës. Shoqata kujton se Forumi për Ndryshime në Arsim ka kërkuar publikisht që ai të japë dorëheqje ose të shkarkohet deri në përmbylljen e procedurave ligjore dhe institucionale.
Kryesia e “Apolonias” shpreh zemërim për të dyja rastet. Ajo pretendon se personat e përmendur kanë qenë ndër figurat kryesore të ndasive që kanë përfshirë komunitetin stomatologjik shqiptar gjatë viteve të fundit, ndërsa i ngarkon ata edhe me përgjegjësi për shpërbërjen e Odës Stomatologjike të Maqedonisë.
Në deklaratë thuhet se mjekët stomatologë, për shkak të përgjegjësisë që kanë ndaj pacientëve, publikut dhe profesionit, nuk mund të lidhen me veprime të tilla, pavarësisht posteve që personat e përfshirë kanë ushtruar ose vazhdojnë të ushtrojnë. Shoqata thekson se këto raste nuk janë pasqyrë e mijëra kolegëve që punojnë me ndershmëri, dinjitet dhe përkushtim ndaj etikës mjekësore.
Në përfundim, Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” u kërkon anëtarëve të saj të qëndrojnë të bashkuar rreth parimeve profesionale. Njëherësh, ajo kërkon largimin e menjëhershëm nga detyra të kryetarit aktual të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare dhe rikonstituimin e strukturave drejtuese, duke respektuar statutin, rregulloret në fuqi dhe marrëveshjen ndërkolegiale që parashikon rotacionin e udhëheqjes.
