Padia e ngritur nga Mitch Winehouse, babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, ndaj dy ish-shoqeve të dhomës së artistes është rrëzuar nga një gjykatë britanike, e cila e ka ngarkuar atë me pagesën e mbi 1 milion eurove në shpenzime ligjore.
Të lidhura
None found
Winehouse kishte çuar në gjykatë Naomi Parry dhe Catriona Gourlay, duke pretenduar se ato kishin shitur pa leje më shumë se 150 sende personale të Amy Winehouse, të lëna në apartamentin ku të treja jetonin së bashku.
Pas ndarjes nga jeta të këngëtares në vitin 2011, pasuria e saj kaloi te babai. Në vitin 2021, Mitch Winehouse organizoi një ankand bamirësie me më shumë se 800 objekte personale të artistes. Të ardhurat, rreth 4 milionë dollarë, iu dhuruan Fondacionit Amy Winehouse.
Sipas versionit të paraqitur nga Mitch Winehouse, Parry dhe Gourlay kishin nxjerrë për përfitim sendet në ankande të mbajtura në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 2021 dhe 2023. Dy gratë, nga ana e tyre, këmbëngulën se objektet i kishin marrë dhuratë nga vetë Amy Winehouse.
Gjatë seancave gjyqësore, përfaqësuesit ligjorë të Winehouse thanë se ai ishte informuar për sendet vetëm pasi ishte zhvilluar ankandi i familjes. Ata pretenduan gjithashtu se të paditurat kishin planifikuar të mbanin paratë e përfituara nga shitjet.
Gjyqtarja Clarke nuk e pranoi këtë qëndrim. Në vendimin e saj, ajo arriti në përfundimin se Mitch Winehouse kishte pasur dijeni që në nisje për shitjen e sendeve dhe e cilësoi padinë si “të dobët në thelb”.
Gjyqtarja kritikoi edhe mënyrën e ndjekjes së çështjes, duke thënë se paditësi e kishte zhvilluar atë “në mënyrë agresive dhe të pamëshirshme”. Sipas saj, akuzat e bëra kishin cenuar reputacionin, karrierën, gjendjen financiare dhe shëndetin e dy grave.
Gjykata vlerësoi njëkohësisht se Amy Winehouse ishte e njohur për bujarinë ndaj miqve dhe njerëzve të afërt. Ky konstatim mbështeti deklarimet e Naomi Parry dhe Catriona Gourlay se sendet u ishin dhënë prej këngëtares si dhurata.
Si pjesë e vendimit, Mitch Winehouse është urdhëruar të paguajë përkohësisht 569.330 paund për Naomi Parry dhe 394.521 paund për Catriona Gourlay.
Në total, shpenzimet e procesit gjyqësor kapërcejnë 1.2 milionë paund, shumë kjo që tejkalon 1 milion euro.
