Këtë të shtunë, Kosta dhe Belere Plaku u shoqëruan drejt prehjes së përjetshme, një ditë pas tragjedisë së rëndë në Vidhisht të Roskovecit. Ata u vranë me armë zjarri nga Refit Buzi, ish-bashkëshorti i mbesës së tyre.
Në një intervistë për emisionin Review në Euronews Albania, vëllai i Kostës tregoi çastet e para të krimit dhe fajësoi autoritetet, duke theksuar se sinjalet e alarmit ishin dhënë prej kohësh për kërcënimet e autorit.
Të lidhura
None found
Ai kujtoi se si u zgjua nga të shtënat: “Isha duke fjetur. Rreth orës 05:20-05:30 dëgjova krismat. Menjëherë u ngrita, ndjeva se kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Lajmërova Policinë dhe shkova me makinë atje. Kur mbërrita, ai tashmë kishte shtënë, kishte rrëmbyer mbesën dhe ishte larguar. Më pas erdhën ndihma e shpejtë dhe forcat e rendit.”
Sipas tij, përplasja zgjaste prej më shumë se një viti dhe familjarët kishin depozituar disa herë ankesa ndaj agresorit.
“Historia është e gjatë, së paku mbi një vit. Mbesa e kishte denoncuar në Tiranë, pasi ai i priste rrugën. Ajo siguroi një urdhër mbrojtjeje, i cili vlen deri në muajin dhjetor. Ne provuam ta rregullonim paqësisht, duke shpresuar se gjërat do të qetësoheshin. Por, sapo doli jashtë, për rreth 40 ditë dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese në mënyra të ndryshme”, rrëfeu ai.
Ai shtoi se megjithë ankesat, autori mbeti në liri nga sistemi gjyqësor.
“Mbesa dhe vëllai im bënë kallëzim. Policia e ndaloi, Prokuroria kërkoi masën e arrestit, por Gjykata e dërgoi në arrest shtëpie. Po atë ditë që doli, brenda pak orësh, kërcënimet rifilluan. I tregova inspektorit se ai po qarkullonte lirshëm. Ai m’u përgjigj: ‘Regjistroji kërcënimet dhe bëj ndonjë foto’. I thashë që s’jam fotoreporter, por ejani se do ta zë dhe ta merrni. Më tha se nuk i lejohej”, tregoi i intervistuari.
Lidhur me gjendjen e Rozalidës, ai pohoi se ende s’kishte komunikuar me të. “Me Rozalidën nuk kam folur ende. Do të ulem ta dëgjoj, por ajo është thellësisht e tronditur.”
Në fund, vëllai i të ndjerit shprehu indinjatën e tij ndaj institucioneve, duke nënvizuar se ngjarja fatale mund të shmangej.
“Ajo që dua unë s’rikthehet dot, por organet shtetërore janë të zbutura, thjesht një fasadë. Për më shumë se 40 ditë pati kërcënime dhe prapë e lanë të lirë. Kur dikush është recidivist, duhen ashpërsuar masat, jo ta lëshosh. Kjo katastrofë nuk erdhi vetëm nga një njeri, por edhe nga pamundësia për të vënë ligjin në fuqi. Nëse qytetarët heshtin dhe rregullat nuk zbatohen, tragjedi të tilla do të ndodhin sërish”, deklaroi ai.
Ai kritikoi gjithashtu disa media online për trajtimin e rastit. “Jam i pakënaqur me disa portale. S’i kam lexuar vetë, por më kanë njoftuar të afërmit. Po shkruajnë trillime që s’kanë ndodhur. Lajmet duhen kontrolluar me kujdes përpara publikimit.”
Kosta Plaku vdiq menjëherë në vendngjarje, ndërsa gruaja e tij, Belere Plaku, humbi jetën në spital për shkak të dëmtimeve. Pas aktit kriminal, autori mori peng ish-bashkëshorten, të cilën e liroi pas bisedimeve me Policinë, dhe në fund vetëvra.
