Dhjetëra institucione të shtetit po drejtohen nga ushtrues detyre si pasojë e bllokadës politike dhe mungesës së formimit të institucioneve të reja. Ekspertët e së drejtës kushtetuese ngrenë shqetësimin se kjo situatë po cenon funksionimin normal të shtetit dhe të organizmave të pavarur.
Të lidhura
None found
Prej kohësh, një numër i madh institucionesh në Kosovë po udhëhiqen nga persona në detyrë. Kreu i shtetit, posti i presidentit, mbahet nga Albulena Haxhiu si ushtruese detyre, e cila njëkohësisht kryeson edhe Kuvendin në detyrë, pas shpërndarjes së tij.
Ndërkohë, Albin Kurti vijon të jetë në krye të ekzekutivit si kryeministër në detyrë, deri në krijimin e qeverisë së ardhshme që do të dalë nga votimet e 7 qershorit. Edhe disa struktura në varësi të Ministrisë së Financave, si Thesari, Njësia për Inteligjencë Financiare dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit, kanë në krye ushtrues detyre. Në Ministrinë e Drejtësisë, situata është e ngjashme: Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore funksionojnë me drejtues të përkohshëm.
Edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka të njëjtën panoramë, ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil udhëhiqen nga ushtrues detyre.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) theksojnë se përveç posteve të mbajtura në këtë mënyrë, shqetësim tjetër është edhe fakti që disa institucione kanë përbërje jo të plotë dhe të tjerat rrezikojnë të paralizohen nëse nuk formohen institucionet e reja.
“Shumë pozita mbahen me ushtrues detyre dhe kjo është tejet shqetësuese. Kjo praktikë duhet të jetë thjesht një rast përjashtimor, për të shmangur vakuumin institucional. Bazuar në gjetjet tona, janë 24 institucione dhe agjenci të pavarura që ose funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate që janë në përfundim e sipër,” deklaroi Gzim Shala nga IKD.
Po ashtu, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e sheh këtë gjendje si pasojë të drejtpërdrejtë të ngërçit politik dhe mungesës së një parlamenti funksional.
“Kjo bllokadë në konstituimin e Kuvendit dhe në zgjedhjen e qeverisë rrezikon të na lërë pa dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Vitin e ardhshëm, mandati i pesë anëtarëve të tjerë skadon dhe pa një parlament, puna e kësaj gjykate do të bllokohej plotësisht. Po kështu, mandati i Avokatit të Popullit është drejt përfundimit,” paralajmëroi Vullnet Bugaqku nga KDI.
Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi evidenton 24 institucione dhe agjenci të pavarura që për momentin kanë përbërje jo të plotë ose u ka mbaruar mandati apo ai po u skadon. Mes tyre përfshihen Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, bordi i KOSTT-it, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.
