Donald Trump deklaroi se po konsideron ndërmarrjen e një operacioni të gjerë ushtarak kundër Iranit, i cili, sipas presidentit amerikan, do të ishte më i fuqishëm se çdo veprim i mëparshëm.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për Axios, ai bëri të ditur se është shumë afër vendimit përfundimtar. “Po vlerësoj një sulm masiv ndaj Iranit. Më të madh se çdo tjetër. Jam pranë marrjes së një vendimi. Jemi gati”, tha Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi se një hap i tillë do të sillte pasoja, por nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përballen me çdo skenar të mundshëm.
Kur u pyet për përfshirjen e mundshme të Izraelit në një operacion ushtarak, Trump u përgjigj: “Nëse do t’ua kërkoja, Izraeli do të bashkohej brenda dy minutash.”
Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se Uashingtonit nuk i nevojitet mbështetja e askujt për të filluar një operacion të ri.
Duke folur për mundësinë e dialogut, Trump përsëriti se Irani dëshiron të negociojë, por, sipas tij, nuk është ende në gjendje të arrijë një marrëveshje.
“Ata duan të negociojnë, por ende nuk janë gati për një marrëveshje. Nuk kanë vuajtur ende mjaftueshëm”, përfundoi presidenti amerikan.
