Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka theksuar se Republika e Kosovës nuk bën më hapa pas, duke nënvizuar se sundimi i ligjit dhe sovraniteti tani zbatohen pa asnjë lëshim.
Të lidhura
None found
Ai e cilësoi si të përfunduar me sukses procesin e largimit të prokurorëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, duke shtuar se personat që braktisën institucionet vendase për t’iu bindur Beogradit nuk do të kenë më mundësi të rikthehen në detyrë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bahtiri shkroi se vendi ka dhënë dy sinjale të forta se ligji dhe sovraniteti po zbatohen pa kompromis.
Sipas tij, dekretimi i dorëheqjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, vulosi përfundimisht epilogun e kësaj çështjeje. Ai shtoi se kohët kur kryetarët e komunave veriore jepnin dorëheqje dhe ktheheshin sërish sipas interesave politike i përkasin të shkuarës. Kushdo që u kthen shpinën institucioneve të Kosovës për shkak të Beogradit, nuk ka më asnjë rrugë për t’u riintegruar në sistemin e drejtësisë, deklaroi deputeti.
Po ashtu, Bahtiri përshëndeti aksionin për vendosjen e rendit në Liqenin e Ujmanit, ku u shembën 11 vila të ndërtuara pa leje. Ky operacion, sipas tij, dëshmoi se askush nuk mund të përvetësojë më pronën shtetërore dhe asetet strategjike. Toka publike iu kthye sërish qytetarëve, theksoi ai.
Në fund të postimit, Bahtiri theksoi se nuk ka kthim prapa dhe se Kosova po forcohet çdo ditë si shtet i së drejtës, ku sundon ligji e jo anarkia. Ai konfirmoi mbështetjen e tij të plotë për institucionet që ruajnë pronën publike dhe sovranitetin e Republikës.
