Moti i rënduar që ka përfshirë Kosovën për të dytën ditë me radhë ka sjellë pasoja serioze në disa pjesë të vendit.
Të lidhura
None found
Në Pozheran të Komunës së Vitisë, një person ka humbur jetën në një incident që dyshohet se lidhet me kushtet e vështira atmosferike. Në të njëjtin fshat janë lënduar lehtë edhe dy persona të tjerë.
Valon Osmani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, ka bërë të ditur për “Bota sot” se viktima ishte një burrë i lindur në vitin 1965, i cili dyshohet se u rrëzua aksidentalisht në ballkonin e banesës së tij.
Sipas Osmanit, ngjarja ka ndodhur më 21.07.2026, rreth orës 16:30, në kohën kur kushtet atmosferike ishin përkeqësuar. Burri kosovar dyshohet se ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë, duke marrë lëndime në kokë.
Ai është transportuar me autoambulancë drejt Qendrës Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, por mjeku kujdestar ka konstatuar se kishte mbërritur pa shenja jete.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore, të cilat, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Stuhia ka shkaktuar pasoja edhe për dy burra të tjerë kosovarë nga Pozherani. Ata kanë marrë lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre janë rrëzuar si pasojë e kushteve atmosferike.
Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, të dy janë liruar për t’u kthyer në shtëpi.
Në deklaratën për “Bota sot”, Osmani përcolli edhe apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, e cila u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kushteve të tilla atmosferike, të mos lëvizin pa nevojë në zonat e rrezikuara dhe të zbatojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
