Momente ankthi u regjistruan të dielën në Aeroportin e Cincinnati-t, në Kentucky-n Veriore të SHBA-së, pasi një avion mallrash Boeing 777-300ER i Kalitta Air goditi pistën me pjesën e pasme gjatë një tentative për ulje, duke prodhuar shkëndija.
Avioni po kryente fluturimin Kalitta Air 264 nga Brukseli kur tentativa e parë për t’u ulur dështoi. Bishti i tij u përplas dhe u zvarrit mbi asfalt, përpara se mjeti fluturues të ngrihej sërish në ajër.
Të lidhura
None found
Në pamjet e siguruara nga televizioni Fox19 shihet çasti kur kontakti i pjesës së pasme të avionit me pistën shkakton shkëndija zjarri. Një dëshmitar pranë pistës dëgjohet duke reaguar me habi ndaj skenës.
Pasi rifitoi lartësinë, avioni u përgatit për një tentativë të dytë dhe u ul pa probleme rreth orës 20:15, sipas kohës lokale. Menaxheri i operacioneve të Kalitta Air, Heath Nichol, konfirmoi se asnjë anëtar i ekuipazhit nuk u lëndua.
Menjëherë pas uljes, Boeing 777-300ER u hoq nga shërbimi dhe iu nënshtrua një kontrolli teknik për të përcaktuar nëse kishte pësuar dëmtime.
Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) ka hapur një hetim për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe rrethanat në të cilat bishti i avionit preku pistën gjatë procesit të uljes.
