Presidenti libanez Joseph Aoun do të pritet të martën në Shtëpinë e Bardhë nga homologu amerikan Donald Trump, në një kohë kur Izraeli ka filluar të largojë pjesërisht trupat e tij nga Libani jugor, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Të lidhura
None found
Udhëtimi i Aoun drejt Uashingtonit përbën një moment të rëndësishëm, pasi asnjë president i Libanit nuk e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2009.
Takimi zhvillohet pas arritjes së armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Libanit, marrëveshje që synon ndaljen e përleshjeve në jug të vendit dhe kalimin në mënyrë graduale të kontrollit mbi zonat e prekura tek ushtria libaneze.
Në fazën e parë të zbatimit të saj, marrëveshja parashikon largimin e forcave izraelite nga disa zona pranë së ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, kufiri që përcakton territoret ku kanë qenë të vendosura trupat e Izraelit.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) bënë të ditur se autoriteti mbi tre fshatra në jug të Libanit i është dorëzuar ushtrisë libaneze.
Trump ka kërkuar gjithashtu që Aoun të zhvillojë një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e përshkruar këtë si një mundësi historike.
Presidenti libanez, megjithatë, nuk e ka pranuar një takim të tillë pa u realizuar më parë një tërheqje më e gjerë e forcave izraelite nga Libani jugor.
Pavarësisht nisjes së largimit të pjesshëm, një zyrtar ushtarak izraelit tha se ushtria do t’i vijojë operacionet në këtë zonë për të “larguar kërcënimet”.
