Vetëm pak javë përpara se të mbushë 41 vjeç, Luka Modric ka siguruar vazhdimin e bashkëpunimit me Milanin edhe për një sezon. Ndërkohë, mesfushori raportohet se ka përcaktuar edhe të ardhmen e tij me përfaqësuesen kroate.
Të lidhura
None found
Gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport” bën të ditur se Modric synon të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar në tetor. Ndeshja e fundit e tij pritet të jetë ajo e Ligës së Kombeve kundër Spanjës, që do të luhet më 6 tetor në stadiumin “Poljud” të Splitit.
Sipas Gazzetta-s, pas 6 tetorit kroati do ta përqendrojë të gjithë vëmendjen te Milani. Ai thuhet se e ka njoftuar trajnerin Bilic për vendimin, ndërsa edhe mbështetësit e klubit italian pritet të njihen së shpejti me këtë lajm.
Nëse raportimi konfirmohet, Modric do të jetë pjesë e kombëtares vetëm gjatë ciklit të ardhshëm, duke zhvilluar katër takimet e para të grupit në Ligën e Kombeve, të programuara në periudhën nga 26 shtatori deri më 6 tetor.
Kështu, dueli me Spanjën mund të shndërrohet në lamtumirën e tij nga fanella kroate, në prani të më shumë se 30 mijë tifozëve në “Poljud”.
Media italiane raporton se vendimi për të qëndruar te Milani lidhet me synimin e Modricit për ta përfunduar karrierën në një mënyrë më të mirë.
“La Gazzetta dello Sport” shkruan se ai nuk dëshiron që kujtimet e fundit nga karriera e tij e jashtëzakonshme të jenë moskualifikimi i Milanit në Ligën e Kampionëve apo zhgënjimi nga eliminimi përballë Portugalisë në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës. Modric kërkon një tjetër përfundim dhe, ndoshta, një trofe për t’ia dhuruar Milanit.
Në rast se tërheqja realizohet në “Poljud”, mesfushori do të mbyllë një prej kapitujve më historikë të kombëtares së Kroacisë.
Kapiteni legjendar numëron deri tani 202 paraqitje dhe 29 gola për përfaqësuesen, me të cilën ka siguruar edhe dy medalje në Kupën e Botës.
Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me Kroacinë në vitin 2018, Modric u vlerësua si Lojtari më i Mirë i Botës dhe Lojtari më i Mirë i Botërorit.
