Parlamenti francez pritet të votojë këtë të martë projektligjin që u ndalon fëmijëve nën 15 vjeç përdorimin e rrjeteve sociale. Me këtë nismë, Franca i bashkohet numrit në rritje të vendeve që po kufizojnë aksesin e të miturve në këto platforma.
Të lidhura
None found
Qeveria franceze synon të përcaktojë një “moshë ligjore dixhitale”. Nëse kuadri i propozuar miratohet, Franca do të bëhet vendi i parë në Evropë që vendos një rregullim të tillë ligjor.
Nga një përllogaritje e AFP rezulton se mbi 20 vende në mbarë botën kanë propozuar ose miratuar masa që kufizojnë hyrjen e fëmijëve në rrjetet sociale. Në pesë prej këtyre shteteve, kufizimet janë tashmë në fuqi. Australia ishte ndër vendet e para që, në dhjetor 2025, ndaloi përdorimin për personat nën 16 vjeç.
Në Brazil, llogaritë e përdoruesve nën moshën 16 vjeç duhet të lidhen me ato të prindërve, ndërsa platformat kanë detyrimin të kontrollojnë moshën. Masa të përafërta zbatohen edhe në Kinë, Indonezi dhe Malajzi. Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar gjithashtu ligje, të cilat pritet të hyjnë në fuqi gjatë muajve të ardhshëm.
Brenda këtij viti, Komisioni Evropian pritet të propozojë një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç, si dhe akses të kufizuar për grupmoshën 13-18 vjeç. Greqia planifikon që masa për nën 15-vjeçarët të nisë më 1 janar 2027, ndërsa Austria, Sllovenia, Gjermania, Suedia, Danimarka dhe Irlanda po hartojnë ose po vlerësojnë legjislacion të ngjashëm.
Norvegjia synon të paraqesë deri në fund të vitit një projektligj për t’ua ndaluar aksesin personave nën 16 vjeç. Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa shtete të Indisë po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së moshës minimale për përdorimin e rrjeteve sociale.
Edhe Portugalia, Spanja dhe Italia kanë hedhur hapa në këtë drejtim, duke paraqitur ose duke marrë në shqyrtim projektligje që e rrisin moshën minimale për përdorimin e pavarur të platformave sociale.
