Më 21 korrik 2026, në orën 09:00, Gjykata Themelore në Prishtinë do të mbajë seancën e shqyrtimit fillestar për çështjen penale të Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit. Seanca do të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, objekti D, salla 27, dhe do të udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
Të lidhura
None found
Endrit Llapashtica përballet me akuzën për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa së bashku me Dardan Marevcin akuzohen edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka propozuar që procedura gjyqësore të zhvillohet në mungesë të të dy të pandehurve, pasi ata nuk kanë qenë të arritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes një njoftimi publik, gjykata u bën thirrje Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit të paraqiten vullnetarisht dhe të dorëzohen para autoriteteve të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, çdo qytetar që zotëron informacion mbi vendndodhjen e tyre inkurajohet të njoftojë Policinë e Kosovës ose institucionet përkatëse.
Ky proces gjyqësor ka rrënjë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në shtator të vitit 2024, në lagjen Aktash të Prishtinës, ku gjatë një përleshjeje të armatosur mbeti i vrarë Premtim Gashi.
