Autoritetet kanadeze kanë angazhuar ushtrinë për largimin e banorëve nga zonat me rrezik të lartë, teksa Kanadaja po përballet ende me pasojat e zjarreve të mëdha pyjore.
Forcat e Armatosura të Kanadasë kanë filluar një mision evakuimi ajror për afro 600 banorë të Fort Hope, një komunitet i izoluar në veriperëndim të Ontarios. Në këtë zonë, flakët vijojnë të përhapen me ritme të shpejta.
Të lidhura
None found
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 69 vatra të reja zjarri, sipas autoriteteve kanadeze. Kjo e ka çuar në 955 numrin e zjarreve aktive në rang vendi. Deri tani, mijëra banorë janë nxjerrë nga zonat e goditura dhe janë dërguar në qytete më të mbrojtura në jug të Ontarios.
Pasojat e zjarreve janë ndier edhe jashtë Kanadasë. Re të dendura tymi kanë depërtuar në disa shtete të SHBA-së, ku institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar për rënien e cilësisë së ajrit. Qytetarëve, sidomos kategorive më të cenueshme, u është kërkuar të reduktojnë qëndrimin dhe aktivitetet në hapësira të jashtme.
Specialistët e klimës vlerësojnë se zjarret në pyje po shfaqen me frekuencë gjithnjë më të lartë në Kanada, pasi temperaturat e larta dhe thatësira kanë krijuar mjedis të favorshëm për përhapjen e tyre. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë operacionet për kontrollin e flakëve dhe ndjekin nga afër situatën.
