Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ngriti sërish akuza për abuzime në Bashkinë e Sarandës.
Ajo iu referua raportit më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili, sipas saj, ka evidentuar rreth 1 milion euro abuzime gjatë vetëm një viti të audituar në këtë bashki bregdetare.
Të lidhura
None found
Zhupa deklaroi se pasojat financiare të keqqeverisjes bien mbi qytetarët e Sarandës. Ajo i ftoi ata që, në zgjedhjet e ardhshme, ta marrin në dorë drejtimin e bashkisë dhe ta vendosin institucionin në funksion të interesave të tyre.
Në deklaratën e saj të plotë, deputetja demokrate e cilësoi raportin e fundit të KLSH-së si aktakuzën më të qartë ndaj Bashkisë së Sarandës.
Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, rreth 630 mijë euro përbëjnë dëm ekonomik të shkaktuar nga mosveprimi i bashkisë. Ndërkohë, 226 mijë euro lidhen me shkelje në prokurime, 101 mijë euro me punime të paguara, por të parealizuara, ndërsa 117 mijë euro rezultojnë si dëm ekonomik nga ahengjet dhe projektet artistike-kulturore që nuk janë zhvilluar në përputhje me prokurimet.
Zhupa argumentoi se këto gjetje nuk mund t’u atribuohen vetëm një apo dy zyrtarëve të paaftë, por dëshmojnë, sipas saj, një model qeverisjeje të ngritur mbi keqadministrimin dhe zhvatjen e parave publike.
Ajo akuzoi Bashkinë e Sarandës se shpërdoron dhe vjedh taksat e qytetarëve, duke mos i përdorur ato në shërbim të interesit publik.
Deputetja paralajmëroi se denoncimet do të vijojnë çdo ditë dhe se qytetarët do të mbështeten në protestat dhe problematikat e tyre. Gjithashtu, ajo garantoi se dosjet do të dërgohen përpara drejtësisë, ndërsa shprehu synimin që në zgjedhjet e ardhshme Bashkia e Sarandës të merret në dorë dhe të vihet në shërbim të qytetarëve.
