Gjermania dhe Franca dhanë në Këln një sinjal të qartë bashkimi në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Mesazhi u përcoll nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjatë mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Në bazën ajrore Nörvenich, pranë Këlnit, dy udhëheqësit konfirmuan vullnetin për të rigjallëruar partneritetin franko-gjerman. Takimi vjen një muaj pas bllokimit të programit të avionit luftarak SCAF, i cili dështoi për shkak të përplasjeve industriale mes Airbus dhe Dassault.
Të lidhura
None found
Merz bëri të ditur se Gjermania do të përfshihet për herë të parë këtë vit në një stërvitje bërthamore të forcave të armatosura franceze.
“Gjermania dhe Franca po thellojnë bashkëpunimin e tyre në mbrojtje. Ne po forcojmë parandalimin evropian. Duke filluar nga ky vit, do të marrim pjesë në një stërvitje bërthamore me forcat e armatosura franceze”, deklaroi kancelari gjerman.
Sipas deklaratës së përbashkët të dy liderëve, mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë përbën “hapin e parë operacional” të një etape të re në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Pas pengesës së projektit SCAF, Berlini dhe Parisi kanë vendosur të angazhohen për një standard të përbashkët, që synon të sigurojë ndërveprimin e sistemeve të luftimit ajror, duke nisur nga dronët e deri te avionët luftarakë.
Macron deklaroi se Franca dhe Gjermania kanë “nxjerrë mësime” nga dështimi i këtij projekti. Ai tha se palët do të fokusohen në nisma më të targetuara dhe se realizimi i tyre kërkon një koordinim të ngushtë ndërmjet drejtimit politik dhe industrisë së mbrojtjes.
Për të vënë në pah afërsinë mes tyre, Friedrich Merz publikoi në rrjetet sociale disa foto nga takimi me Emmanuel Macron. Në një prej imazheve, të dy liderët shfaqen duke biseduar në një avion.
“Faleminderit për miqësinë tënde, Emmanuel Macron”, shkroi Merz në postimin e tij.
