Një valë e ashpër kritikash ka shpërthyer pas deklaratës së Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, e cila në një intervistë për shtypin serb përdori një gjuhë të rëndë kërcënuese ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar.
Të lidhura
None found
Ministrja u shpreh me këto fjalë: “Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.”
Kjo frazë është cilësuar si provokim i hapur dhe rrezik për ripërtëritje të diskursit të dhunshëm të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Refik Hasani, veprimtar nga Bujanoci, në një prononcim dhënë për “Bota sot”, theksoi se fjalët e ministres nuk përbëjnë një episod të vetmuar. Sipas tij, kemi të bëjmë me një vazhdimësi të një retorike të mbushur me urrejtje, paragjykime raciale dhe qëndrime armiqësore që vijnë nga nivelet më të larta drejtuese të shtetit serb.

Ai solli në vëmendje shembuj të mëhershëm, duke përfshirë deklaratat e ish-kryeministres dhe kryeparlamentares aktuale, Ana Brnabiq, si dhe mesazhet e shumta shkruar në pankarta që nxisin dhunë kundër shqiptarëve.
“Kjo deklaratë e Snezhana Paunoviq, pjesëtare e kabinetit qeveritar serb, nuk është rasti i parë ku një funksionare e lartë fyen rëndë dhe përhap urrejtje, racizëm e ksenofobi. Në Serbi gjithnjë e më shpesh shfaqen pankarta me mbishkrime publike që bartin gjuhë të theksuar urrejtjeje dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj nesh. Së fundmi, deklarata edhe më fyese ka ardhur nga Ana Brnabiq, ish-dy herë kryeministre dhe tani udhëheqëse e Parlamentit, e cila u shpreh: ‘Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim’. Ndersa sloganet ‘Vdekje shqiptarëve’ e ‘Shqiptarët do t’i vrasim’ nuk janë thjesht veprime të izoluara qytetarësh apo shoqatash, por ushqejnë një atmosferë kërcënimi kundër shtetit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar,” u shpreh Hasani.
Ai paralajmëroi se qëndrimet e tilla nga autoritetet dhe institucionet serbe po ringjallin frymën e viteve ’90, duke e quajtur këtë një sinjal alarmi dhe një mesazh të rrezikshëm për sigurinë e shqiptarëve dhe stabilitetin rajonal.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për deklaratën e ministres Paunoviq, por edhe për fjalimet e Ana Brnabiq, kryetares së Kuvendit, si dhe për qëndrimet e udhëheqësve të ushtrisë, policisë, universiteteve shtetërore, Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe Kishës Ortodokse Serbe. Të gjithë vijojnë të injektojnë te popullsia serbe një mendësi identike me atë të viteve 1990. Ky është një alarm i fortë, një jehonë e po atij diskursi të rrezikshëm. Është kërcënim i pastër për një konflikt të ri dhe për dominim mbi trojet shqiptare,” theksoi ai.
Në vijim, Hasani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të kthejë faqen e marrëdhënieve me Serbinë dhe të heqë dorë nga favorizimet e saj pa u përballur më parë me llogaridhënien për krimet e kryera në të shkuarën.
Duke i konsideruar këto shprehje si gjuhë urrejtjeje, ai kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë dhe ndëshkues ndaj përfaqësuesve serbë.
“Shpresoj që faktori ndërkombëtar të ndryshojë tashmë qëndrim ndaj Serbisë dhe ajo të mos trajtohet më me privilegje e favore në asnjë forum të BE-së apo mekanizëm tjetër global, përfshirë Kombet e Bashkuara, pa kërkuar ndjesë për viktimat, për spastrimin etnik, dëbimin dhe gjenocidin në Kosovë, Bosnjë dhe ish-Jugosllavi.
E drejta ndërkombëtare, sipas të gjitha konventave dhe traktateve, e ndalon rreptësisht çdo lloj propagande luftarake dhe çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore a fetare që nxit diskriminim, armiqësi ose dhunë. Serbia, duke vepruar kështu, promovon përhapjen e teorive mbi superioritetin racor dhe nxitjen e dhunës kundër grupeve racore e etnike.
BE-ja duhet ta dënojë me një rezolutë detyruese deklaratën e ministres Snezhana Paunoviq. Institucionet evropiane duhet të kërkojnë që Parlamenti dhe Qeveria serbe të distancohen zyrtarisht prej saj. Nëse kjo nuk ndodh, Serbia do të duhej të përballej me sanksione financiare dhe diplomatike.
Ka ardhur momenti që BE-ja të detyrojë ndjekjen penale të kësaj ministre për thirrje të hapur për spastrim etnik, nxitje lufte, urrejtjeje dhe racizmi. Ajo duhet të shpallet person i padëshiruar, non grata, nga BE-ja dhe SHBA-ja,” përfundoi Hasani për “Bota sot”.
