Drita dështoi të riprodhojë arritjen e sezonit të shkuar, kur hyri në histori si formacioni i parë kosovar që avancoi nga tura e parë e Ligës së Kampionëve dhe u kualifikua për në të dytën.
Të lidhura
None found
Kësaj radhe, skuadra nga Gjilani u ndal nga Kauno Zalgiris. Pasi barazuan 1-1 në transfertën lituaneze, bardhekaltrit u mundën 3-2 në stadiumin “Fadil Vokrri”, megjithëse për pjesën më të madhe të sfidës e patën në dorë fatin e tyre.
Takimi nisi me një goditje të fortë për kampionët, të cilët e panë rrjetën të tundej në minutën e nëntë. Megjithatë, përgjigjja erdhi pa vonesë. Liridon Balaj dhe Igball Jashari morën kontrollin e krahëve, me Balajn që shërbeu për Jasharin, i cili rivendosi baraspeshën në 1-1.
Fraksioni i dytë i lojës i buzëqeshi po ashtu Dritës. Sërish ishte Balaj në rolin e protagonistit, duke dhënë një tjetër pasim vendimtar, këtë radhë për Arb Manajn, i cili shënoi për 2-1 dhe i solli ekipin pranë një hapi nga kualifikimi.
Por, pikërisht në çastet kur Drita diktonte ritmin, trajneri Zekirija Ramadani mori vendimin për të ndryshuar skemën. Në minutën e 65-të, ai nxori nga loja dy prej lojtarëve më kërcënues në fushë, Liridon Balajn dhe Igball Jasharin, duke hedhur në stuhi Blerton Shejin dhe Kristal Abazajn.
Në minutën e 80-të, radha për t’u zëvendësuar i erdhi edhe Arb Manajt, futbollistit të shpallur më të mirë të vitit në Kosovë, teksa Drita u tërhoq gjithnjë e më shumë në pozicione pritëse, duke ia dorëzuar topin rivalit.
Kjo rënie e papritur u penalizua menjëherë. Kauno Zalgiris riktheu baraspeshën në minutën e 82-të, kurse në minutat shtesë përfitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol për shifrat përmbyllëse 3-2.
Goditja nga eliminimi ka pasoja të thella edhe në planin financiar.
Një kalim në turin e dytë të Ligës së Kampionëve do t’i sillte Dritës rreth 1.7 milionë euro nga UEFA, si dhe një short të leverdisshëm përballë fituesit të çiftit Klaksvík – Bissen.
Për më tepër, nëse do të kishte tejkaluar edhe këtë pengesë, Drita do të siguronte automatikisht praninë në fazën e ligës së Ligës së Konferencës dhe do të fitonte të drejtën të luftonte për një biletë në grupet e Ligës së Evropës, duke qenë se play-off-i i këtij kompeticioni ishte i garantuar.
Në fund, kampionëve të Kosovës u iku historia nga duart.
Pikërisht në momentet kur po zotëronin ndeshjen, ndryshimi i qasjes dhe zmbrapsja në mbrojtje u shndërruan në goditje fatale, duke e kthyer një kualifikim gati të sigurt në një eliminim plot hidhërim.
Tani, rruga evropiane e Dritës zhvendoset në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të ndeshet me Florianën.
Sidoqoftë, shtegu drejt fazës së ligës është bërë ndjeshëm më i ngarkuar, sepse pas skuadrës malteze do të jetë e nevojshme të eliminohen edhe dy kundërshtarë të tjerë për të arritur objektivin europian.
