Një regjistrim dramatik nga zjarret e mëdha që po përhapen në Kanada shfaq një tren mallrash të rrethuar nga flakët në zonën e Armstrong, pranë Ontarios, duke vënë në rrezik ekuipazhin.
Pamjet janë xhiruar nga brenda trenit dhe tregojnë terrenin e kapluar nga zjarri. Në sfond dëgjohet makinisti teksa thotë: “Kjo mund të na arrijë edhe neve këtu, po bëhet pak e frikshme. Jemi të rrethuar nga flakët.”
Të lidhura
None found
Hekurudha Kombëtare Kanadeze njoftoi se të martën, tre trena mallrash që transportonin materiale të ndezshme u ndaluan në zonën e Armstrong për shkak të zjarreve. Si masë mbrojtëse, ekuipazhet u evakuuan menjëherë.
Sipas mediave ndërkombëtare, pavarësisht situatës së rrezikshme, të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit shpëtuan pa lëndime. Videoja u shpërnda në rrjetet sociale nga deputeti i Ontarios, Sol Mamakwa.
Ndërkohë, vatrat e mëdha të zjarrit që vijojnë të zgjerohen në perëndim të Ontarios rrezikojnë të çojnë re të trasha tymi drejt zonës së Liqeneve të Mëdha dhe shteteve verilindore të Shteteve të Bashkuara.
Raportimet bëjnë të ditur se disa nga zjarret janë shtrirë në një sipërfaqe prej mbi 32 kilometrash, çka po e bën më të vështirë ndërhyrjen e autoriteteve për t’i vënë nën kontroll.
