Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se partia që ai drejton u përball me një fushatë të organizuar persekutimi politik gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme, duke e cilësuar të gjithë situatën si një formë sulmi të drejtpërdrejtë. Ai i bëri këto komente pas vendimit për lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në dosjen “Talir 2” dhe heqjen e masave mbi pasuritë e OBRM-PDUKM-së.
Të lidhura
None found
“Kishin sajuar një çështje fantazmë, të quajtur ‘Talir 1 dhe 2’. Më në fund, dje, Gjykata dha një aktgjykim për partinë OBRM-PDUKM që është në harmoni me parimet e drejtësisë dhe me pritshmëritë e popullit,” u shpreh Mickoski gjatë vizitës në Komunën e Sarajit. Ai shtoi se pjesa tjetër e vendimit, ajo që lidhet me personin e akuzuar, buron nga amendamentet që shumica e LSDM-së dhe BDI-së i sollën në Kodin Penal.
Sipas tij, ishin pikërisht këto ndryshime ligjore ato që sollën amnisti të shumta, një zinxhir pasojash që vijon edhe sot. “Kur bën një gabim, ai shndërrohet në normë dhe të përndjek. Por për OBRM-PDUKM-në, drejtësia më në fund u vu në vend,” përfundoi kryeministri.
Ish-kryeministri Gruevski u shpall i pafajshëm në procesin “Talir 2”, i cili kishte të bënte me pretendimet për ndërtim të parregullt të selisë qendrore të partisë. Gjatë shpalljes, gjyqtari theksoi se lirimi ishte rrjedhojë e modifikimeve në Kodin Penal, por edhe se organi i akuzës nuk paraqiti dot prova të mjaftueshme për të mbështetur fajësinë e Gruevskit gjatë gjykimit.
