Të martën, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u takua në zonën e Korçës dhe Pogradecit me përfaqësues të bizneseve të bimëve medicinale dhe fermerë, për të diskutuar problemet e sektorit, skemat e mbështetjes dhe procesin e subvencionimit.
Ministri theksoi potencialin e madh bujqësor të rajonit dhe interesin e lartë të fermerëve për programet kombëtare të mbështetjes, çka reflektohet në numrin e konsiderueshëm të aplikimeve.
Të lidhura
None found
Lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore në fundvitin e kaluar dhe në janar të këtij viti, ai bëri të ditur se qeveria ka përfunduar procedurat ligjore dhe është në pritje të miratimit të një akti normativ, i cili do të hapë rrugën për dëmshpërblimin e fermerëve në të gjithë vendin.
“Dëmshpërblimet do të jepen shumë shpejt. Akti normativ është duke u përgatitur dhe fermerët do të dëmshpërblehen”, u shpreh ministri për gazetarin e Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, i cili e kishte pyetur për premtimet për kompensim pas përmbytjeve të janarit.
Duke ndaluar te skemat e blegtorisë, Salla vuri në dukje se reduktimi i pragjeve minimale të përfitimit ka gjeneruar numrin më të lartë të aplikimeve të regjistruara ndonjëherë. Sipas tij, për bagëtitë e imta pragu u ul nga 100 në 50 krerë, ndërsa për lopët nga 10 në 5, duke përfshirë edhe fermat e vogla.
Për herë të parë, një grant prej 10 mijë eurosh do t’u akordohet të rinjve që investojnë në blegtori. Po ashtu, ai përmendi se po vijon zbatimi i skemës së kompensimit të 10% të faturave të shitjes, procedurat e së cilës kryhen pranë administratës tatimore.
Deri tani, mbështetja e dhënë përmes kësaj skeme ka arritur në 13.5 milionë euro, bëri të ditur ministri. Ai theksoi se synimi është t’u vijë në ndihmë drejtpërdrejt fermerëve që punojnë tokën, me procedura të thjeshta dhe pa burokraci, ndërsa pagesat do të kryhen dy herë në vit, në muajt korrik dhe dhjetor.
