Shërbimi Antiterror i Greqisë ka arrestuar tre persona në përfundim të hetimeve dhjetëditore për sulmet e koordinuara me bomba artizanale gazi, të cilat tronditën Selanikun më 1 korrik.
Të lidhura
None found
Aksioni policor është shtrirë njëkohësisht në Selanik dhe në Kretë, ndërsa kontrollet në banesa dhe mjedise të tjera janë ende në vijim.
Sipas autoriteteve, në Selanik është vënë në pranga një 29-vjeçar, ndërsa në Hania të Kretës është arrestuar një 26-vjeçare. Të dy njiheshin më herët nga policia për përfshirje në qarqet anarkiste. I arrestuari i tretë dyshohet se ka vënë në dispozicion apartamentin e tij, i cili, sipas hetimeve, është përdorur si bazë për organizimin dhe realizimin e sulmit ndaj banesës së Afroditi Nestorës.
Nga hetimet rezulton se 26-vjeçarja dhe 29-vjeçari kishin mbërritur në apartament një ditë përpara sulmit dhe qëndruan aty deri në çastin kur vendosën mekanizmin shpërthyes. Pas shpërthimit, ata u rikthyen sërish në të njëjtin vend për të ndërruar rrobat, e më pas u larguan.
Policia greke vlerëson se ngjarjet janë kryer nga dy grupe të ndryshme, ndërsa personat përgjegjës për sulmin tjetër ende nuk janë identifikuar. Autoritetet shpresojnë që analiza e telefonave celularë të të arrestuarve të ndihmojë edhe në zbulimin e anëtarëve të grupit të dytë.
Kjo ngjarje kishte shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik grek. Në total, tre sulme të koordinuara me bomba artizanale gazi kishin si objektiv banesat e tre drejtuesve lokalë të partisë në pushtet, Demokracia e Re, në Selanik.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua në banesën e Afroditi Nestorës, ku pas shpërthimit të mekanizmit artizanal në automjetin e saj, flakët e forta dhe tymi përfshinë të gjithë godinën. Si pasojë, humbi jetën nëna e ish kandidates për deputete të Demokracisë së Re, ndërsa katër persona të tjerë mbetën të plagosur.
Dy sulmet e tjera goditën banesat e kryetarit të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimovits, dhe ish-deputetit Savvas Anastasiadis, duke lënë pas dëme materiale.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e kishte cilësuar këtë sulm si një akt terrorist dhe kishte premtuar se autorët do të identifikoheshin dhe do të përballeshin me drejtësinë.
