Vrasja e tre sërfistëve në 2024, tre meksikanë marrin secili 158 vjet e nëntë muaj burg

Për vrasjen e tre sërfistëve në prill 2024 në Ensenada, një gjykatë në Meksikë u caktoi të enjten tre burrave meksikanë dënime prej 158 vjetësh e nëntë muajsh burg për secilin. Viktimat ishin dy australianë dhe partneri amerikan i njërit prej tyre.

Jetën e humbën vëllezërit australianë Jake dhe Callum Robinson, përkatësisht 30 dhe 33 vjeç, si dhe amerikani Carter Rhodes, 30 vjeç, i dashuri i njërit prej vëllezërve. Ata po qëndronin në kamping në një plazh të veçuar të Ensenadës, në bregdetin e Paqësorit, në shtetin Baja California të Meksikës veriperëndimore, kur u vranë.

Të lidhura

None found

Disa ditë pasi ishin zhdukur, trupat e tyre u zbuluan me plagë të shkaktuara nga plumbat në kokë.

Vendimi që i shpalli fajtorë të tre të pandehurit ishte dhënë më 9 tetor. Për secilin prej tyre, prokuroria kishte kërkuar 210 vjet burg. Gjatë procesit gjyqësor, ajo kishte vënë në dukje se tre shtetasit e huaj ishin zënë në befasi nga sulmi dhe ishin vrarë të pambrojtur, pa bërë as rezistencën më të vogël. Sipas prokurorisë, pas krimit njëri prej të pandehurve ishte mburrur se zotëronte sendet e viktimave.

Krimi i organizuar dhe trafiku i drogës prekin Baja Californian, e cila renditet ndër shtetet më të dhunshme të Meksikës. Megjithatë, turistët e huaj rrallë bëhen shënjestër e karteleve.


Shtuar më 17.10.2026 09:40