Qindra mijëra persona protestuan të shtunën, më 17 tetor, në qytete të ndryshme franceze kundër mungesës së financimit për arsimin dhe përkeqësimit të shërbimeve publike. Demonstratat u shoqëruan me përleshje dhe dëme materiale.
Të lidhura
None found
Organizatorët dhe sindikata CGT thanë se në protesta morën pjesë rreth 800 mijë njerëz. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Francës, numri i demonstruesve ishte 550 mijë.
Në kryeqytet, përplasjet u përqendruan në sheshin Place de la République dhe vazhduan për disa orë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës. Disa protestues tentuan të shkonin drejt ministrive dhe pallatit presidencial. U sulmua gjithashtu selia e televizionit CNews.
Incidente pati edhe në qytete të tjera. Në Limoges, një zjarr që dyshohet se nisi nga një koktej molotovi shkaktoi dëme të mëdha në bashkinë historike të shekullit të 19-të. Në Marsejë, protestues me kapuçë sulmuan ndërtesën e bashkisë dhe shkruan parulla anarkiste në mure; u raportuan edhe plaçkitje dyqanesh. Në Lion u dogj një zyrë turistike, në Lilë u dëmtua bashkia, kurse në Grenoble banorët e një ndërtese u nxorën jashtë pasi aty ra zjarr.
Në Saint-Etienne, një 17-vjeçar humbi dorën pasi u plagos nga një granatë e hedhur nga policia. Sipas raportimeve, ai dyshohet se e kapi granatën me duar.
Kryeministri Sébastien Lecornu bëri të ditur se gjatë demonstratave u plagosën 150 efektivë policie dhe xhandarë. Një njoftim i mëparshëm kishte raportuar rreth 60 të plagosur, përfshirë dy në gjendje kritike. Autoritetet arrestuan gjithashtu mbi 1,200 persona, kryesisht në Paris, mes tyre edhe të mitur.
Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe tha se ajo nuk ka vend në një demokraci. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër atyre që, sipas tij, nxisin kaos, si dhe u zotua se përgjegjësit do të ndiqen penalisht e do të ndëshkohen.
Lecornu deklaroi se askush nuk mund ta imponojë axhendën e vet politike përmes dhunës dhe kritikoi lëvizjen e majtë Franca e Panënshtruar, të udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon. Edhe ministri i Brendshëm fajësoi të majtën ekstreme për nxitjen e dhunës.







