Gara në Kinë për krijimin e teknologjive të reja për makinat elektrike po vazhdon me ritëm të lartë dhe së fundmi në fokus është vendosur Geely, e cila me zgjidhjen e saj më të fundit në fushën e baterive ka kaluar rivalin e madh BYD.
Të lidhura
None found
Sipas informacioneve të bëra publike, Lynk & Co, markë e Geely-t, ka zbuluar baterinë e re 900V Energee Golden Brick, që sjell një shpejtësi tepër të lartë karikimi.
Në provat e kryera, kjo bateri ka arritur një fuqi maksimale karikimi prej afërsisht 1.100 kW, ndërsa edhe pasi ka kaluar nivelin 80 për qind, ka mbajtur një fuqi karikimi mbi 500 kW.
Me këtë zhvillim, Geely ka kapërcyer pretendimet e BYD, e cila më herët kishte prezantuar baterinë e saj “Blade” dhe sistemin ultra të shpejtë të karikimit me fuqi megavatësh, duke e paraqitur atë si një nga teknologjitë më të avancuara në prodhimin masiv.
Sipas prodhuesit, objektivi i baterisë së re të Geely-t është të ulë ndjeshëm kohën e pritjes gjatë karikimit të automjeteve elektrike, duke e afruar këtë proces me përvojën e furnizimit tradicional me karburant.
Ky zhvillim i fundit tregon se konkurrenca mes prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Geely dhe BYD, ashtu si kompani të tjera, po hedhin miliarda në zhvillimin e baterive më të fuqishme, me karikim më të shpejtë dhe autonomi më të madhe, në përpjekje për të marrë epërsinë në tregun global të automjeteve elektrike.
