Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, deklaroi gjatë takimit me kryetaren e KE-së, Marta Kos, se vizita e sotme paraqet një rast për një diskutim të hapur, të sinqertë dhe me përmbajtje mbi perspektivën evropiane të vendit, reformat që janë në zbatim dhe domosdoshmërinë që procesi i zgjerimit të mbetet i lidhur me parimet mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian: besimi, parashikueshmëria, trajtimi i barabartë dhe respekti për dinjitetin e secilit shtet kandidat, njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit, Qeveria ka dëshmuar se reformat nuk janë vetëm një zotim në letër, por punë konkrete që vlerësohet përmes rezultateve, ndryshimeve institucionale, treguesve ekonomikë dhe krijimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët.
Mickoski theksoi se synimi është ngritja e institucioneve funksionale, forcimi i sundimit të ligjit, krijimi i një administrate publike më efikase, zhvillimi i një ekonomie konkurruese dhe ndërtimi i një ambienti që do të rrisë besimin e qytetarëve dhe investitorëve.
Ai nënvizoi se këto hapa nuk po ndërmerren sepse dikush ia kërkon vendit, por sepse ekziston bindja se kjo është rruga e vetme e drejtë për zhvillimin e atdheut dhe për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, të afta për t’iu përgjigjur nevojave të brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Në këtë proces, shtoi ai, vlerësohet mbështetja që vjen nga Komisioni Evropian, si edhe ndihma financiare dhe ajo e ekspertëve, të cilat ndihmojnë që reformat të zbatohen më shpejt dhe me cilësi më të lartë.
Nga ana tjetër, ai tha se pritet që integrimi evropian të vazhdojë të jetë një proces i mbështetur te kriteret, vlerat dhe përmbushja e qartë e angazhimeve reformuese, e jo një proces i rënduar me çështje dypalëshe që krijojnë pasiguri te qytetarët e vendit.
Mickoski u shpreh gjithashtu se qytetarët prej vitesh kanë treguar përkushtim të qartë ndaj idesë evropiane. Gjatë kësaj kohe, sipas tij, janë marrë vendime të vështira, janë pranuar angazhime serioze dhe janë bërë hapa të rëndësishëm, me bindjen se çdo kriter i përmbushur do të vlerësohej në mënyrë objektive dhe të parashikueshme.
Për këtë arsye, ai theksoi se sot është me rëndësi që të ekzistojë besimi se procesi do të ecë përpara sipas të njëjtave rregulla që vlejnë për të gjithë kandidatët e tjerë dhe për të gjitha vendet ish-kandidate.
Ai shtoi se angazhimi ynë mbetet i pandryshuar dhe se vendi do të vazhdojë me reformat, do të forcojë ekonominë, institucionet dhe sundimin e ligjit, sepse kjo është në interes të qytetarëve dhe sepse vlerat evropiane kuptohen si vlera që duhet të jenë pjesë e funksionimit të përditshëm të institucioneve.
