Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, deklaroi se Europa përbën sot një partnere shumë më të fortë për Shtetet e Bashkuara në krahasim me pesë vite më parë, si rezultat i shtimit të investimeve në mbrojtje nga vendet aleate.
Të lidhura
None found
Në një bisedë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadrin e samitit të NATO-s në Turqi, Rutte nënvizoi se aleanca nuk mund të vijojë të mbështetet në mënyrë të tepërt te SHBA. “Nuk mund të vazhdojmë të jemi tepër të varur nga Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Europë dhe një NATO shumë më e fortë”, tha ai.
Rutte theksoi se ndër përparësitë kryesore të NATO-s është zgjerimi i industrisë së mbrojtjes në Europë, Kanada dhe SHBA, duke shtuar se në disa shtete europiane tashmë janë vënë në funksion linja të reja prodhimi për pajisje ushtarake.
Sipas tij, ky është transformimi më i madh që ka përjetuar Aleanca që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. “Europa po merr shumë më tepër përgjegjësi brenda NATO-s. Sot kemi një aleancë të transformuar, ku SHBA ka një partner shumë më të fortë në Europë. Kjo e bën të gjithë NATO-n më të fortë”, u shpreh Rutte.
Këto deklarata vijnë në një moment kur vendet aleate të NATO-s po rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe po synojnë të përforcojnë kapacitetet ushtarake përballë sfidave të sigurisë.
