Barcelona po ndjek me vëmendje situatën e Lisandro Martinezit dhe mund të përpiqet ta afrojë mbrojtësin argjentinas pa pagesë në verën e vitit 2027, bëri të ditur gazetari i Sky Sport, Sacha Tavolieri.
Të lidhura
None found
E ardhmja e 28-vjeçarit është diskutuar me agjentin e tij, veçanërisht pas kritikave të adresuara drejtuesve të Manchester Unitedit pas disfatës 2-0 ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Sipas raportimeve, përfaqësuesi i Martinezit u ka përcjellë sinjale klubeve që interesohen për mbrojtësin.
Megjithatë, situata u qetësua më vonë. Martinez kërkoi falje pasi zhvilloi bisedime me trajnerin Michael Carrick dhe drejtuesit e klubit.
Klubi katalunas e ka ndjekur prej disa vitesh profilin e mbrojtësit argjentinas dhe e konsideron atë një futbollist me vlera. Për këtë arsye, transferimi i tij në “Camp Nou” mbetet një alternativë që Barcelona po e vlerëson.
Martinez u transferua te Manchester Unitedi në vitin 2022. Marrëveshja e tij përfshin gjithashtu një opsion për zgjatje me një vit, të cilin mund ta aktivizojë klubi anglez. Për rrjedhojë, largimi i argjentinasit si lojtar i lirë në vitin 2027 nuk është ende i sigurt.
Fitues i Kupës së Botës me Argjentinën, Martinez shihet si një prej mbrojtësve kryesorë të Manchester Unitedit. Sidoqoftë, ngjarjet e fundit kanë rikthyer pasigurinë lidhur me vazhdimin e tij në klub.






