Kriza e temperaturave të larta ka hyrë edhe në arenën politike franceze. Deputetët e Partisë së Gjelbër kanë depozituar një mocion mosbesimi kundër qeverisë, të cilën e akuzojnë se nuk ka arritur të përballojë siç duhet situatën ekstreme që ka përfshirë vendin që prej fundit të qershorit.
Të lidhura
None found
Nisma mban firmat e 32 deputetëve të Gjelbër, 25 ligjvënësve të së majtës radikale a France Insoumise dhe një deputeti socialist. Mocioni pritet të merret në shqyrtim në Asamblenë Kombëtare më 6 korrik, por mundësitë që ai të rrëzojë qeverinë e pakicës të kryeministrit Sébastien Lecornu vlerësohen të vogla. Partia e djathtë Tubimi Kombëtar ka njoftuar se nuk do ta mbështesë, ndërsa socialistët deri tani nuk kanë votuar pro mocioneve të ngjashme kundër qeverisë.
Qeveria ka reaguar përmes zëdhënëses Maud Bregeon, e cila e kundërshtoi lëvizjen e opozitës, duke thënë se ekzekutivi po merret me menaxhimin e krizës, ndërkohë që disa forca politike po synojnë ta përshkallëzojnë atë përmes një mocioni mosbesimi. Sipas autoriteteve franceze, vala e të nxehtit që ka prekur Europën që nga 20 qershori ka sjellë të paktën 1 mijë vdekje shtesë në Francë.
Megjithëse temperaturat nuk janë më në nivelet rekord të ditëve të fundit, në shumicën e territorit francez ato vijojnë të qëndrojnë pranë 30 gradë Celsius. Shërbimi meteorologjik Météo-France paralajmëron se një tjetër valë e të nxehtit mund të prekë vendin gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.
Ende nuk dihet me saktësi sa do të zgjasë, sa intensive do të jetë dhe cilat zona do të përfshijë ky episod i ri i vapës. Nëse ndodh, kjo do të ishte vala e tretë e të nxehtit gjatë këtij viti, ndërsa e para u shfaq në mënyrë të pazakontë herët, që në muajin maj.
