Një foshnjë 6-muajshe humbi jetën të martën, pasi mbetjet e një droni ranë mbi një ndërtesë private në rajonin e Moskës, bëri të ditur përmes Telegramit guvernatori Andrei Vorobyov.
Ai tha se foshnja u nxor e gjallë nga godina bashkë me një fëmijë tjetër dhe dy persona të tjerë, por nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Të lidhura
None found
Autoritetet ruse njoftuan edhe për viktima të tjera si pasojë e sulmeve me dron. Në rajonin e Belgorodit, një burrë humbi jetën pas një sulmi që, sipas zyrtarëve lokalë, u ndërmor nga Ukraina. Po ashtu, në rajonin Tver, një grua 61-vjeçare vdiq pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi një banesë.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina goditi për herë të dytë brenda një jave qendrën e komunikimit satelitor në Dubna, një objekt që, sipas Kievit, shfrytëzohet nga ushtria ruse për zbulim dhe për koordinimin e operacioneve ushtarake.
“Sot, sulmet tona kundër infrastrukturës që mbështet luftën e Rusisë goditën sërish qendrën e komunikimit satelitor në Dubna, në rajonin e Moskës”, shkroi Zelensky në Telegram.
Sipas tij, ky objekt ndodhet më shumë se 1,300 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi se e njëjta qendër ishte goditur edhe javën e kaluar.
Megjithatë, Kremlini nuk e ka konfirmuar sulmin ndaj këtij objekti. Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, deklaroi se një dron goditi një “ndërtesë administrative” në qytetin Dubna, por pa raportuar viktima.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se gjatë natës së së hënës sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithsej 419 dronë.
Në Ukrainë, autoritetet raportuan se të paktën dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në rajonin e Zaporizhias.
Guvernatori rajonal Ivan Fedorov bëri të ditur se forcat ruse e goditën qytetin me shtatë bomba të drejtuara brenda rreth 90 minutash. Sipas tij, viktimat janë dy burra të moshës 62 dhe 45 vjeç, ndërsa 15 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore pas sulmit.
