Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, policia ka ndaluar gjashtë shoferë në territorin e gjithë vendit për drejtim të automjetit në mënyrë të papërgjegjshme. Sipas njoftimit, pesë prej tyre po qarkullonin pa patentë shoferi, ndërsa dy nga këta ishin të mitur. Një tjetër person është kapur duke drejtuar automjet me ndalim aktiv për drejtimin e automjetit të udhëtarëve.
Të lidhura
None found
MPB ka sqaruar se nga një person janë evidentuar në Shkup, Gostivar, Kumanovë, Kavadar dhe Prilep duke vozitur pa patentë shoferi, ku të mitur janë personat në Shkup dhe Gostivar. Ndërkohë, në Pikën Kufitare Deve Bair, një person është ndaluar pasi ka drejtuar automjetin pavarësisht se kishte ndalim aktiv. Autoritetet bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Nga MPB u është bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’u binden rregullave të trafikut dhe të mos drejtojnë automjet pa e kaluar provimin për patentë shoferi. Po ashtu, apeli vlen edhe për ata që kanë masë ndalimi për drejtim automjeti ose ndodhen nën ndikimin e alkoolit, me qëllim që të kontribuohet së bashku për një trafik më të sigurt.

