Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2025: Maqedonia e Veriut në vendin e 68-të, Islanda kryeson renditjen

Islanda zë vendin e parë në Raportin e Zhvillimit Njerëzor 2025, me një vlerë të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) prej 0.972, ndërsa Zvicra dhe Norvegjia ndajnë pozitën e dytë me nga 0.970 pikë. Këto shtete kanë mbajtur vazhdimisht kryesimin e listës, me luhatje minimale nga njëri vit në tjetrin, çka dëshmon se arritja e një zhvillimi shumë të lartë njerëzor është e qëndrueshme dhe e vështirë për t’u cenuar. Ato dallohen për sisteme të fuqishme shëndetësore, që reflektohet në jetëgjatësinë, për arsim cilësor të matur me vitet mesatare të shkollimit të popullsisë mbi 25 vjeç dhe vitet e pritshme të edukimit për fëmijët që sapo hyjnë në shkollë, si dhe për të ardhura të larta për frymë, të llogaritura sipas të Ardhurave Kombëtare Bruto (GNI) për banor. Shtetet e Bashkuara renditen në pozitën e 17-të me rezultatin 0.938, duke mbetur pas Danimarkës, Gjermanisë dhe Kanadasë.

Maqedonia e Veriut është klasifikuar në vendin e 68-të me një HDI prej 0.815 dhe me jetëgjatësi mesatare prej 77.4 vitesh. Popullsia e rritur ka kryer mesatarisht 10.2 vjet shkollim, teksa brezat e rinj parashikohet të përfundojnë rreth 14.8 vjet arsimim. Të ardhurat kombëtare bruto për frymë, të matura me barazinë e fuqisë blerëse, arrijnë në 22,128 dollarë. Me këto shifra, vendi bën pjesë në grupin e vendeve me Zhvillim Njerëzor Shumë të Lartë. Qëllimi kryesor i kësaj metodologjie është të provojë se zhvillimi njerëzor nuk kushtëzohet vetëm nga rritja ekonomike, por edhe nga mënyra se si kjo rritje ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Të lidhura

None found

Indeksi i Zhvillimit Njerëzor vlerëson tri shtylla themelore: shëndetin, përmes jetëgjatësisë në lindje; arsimin, nëpërmjet viteve mesatare dhe të pritshme të shkollimit; dhe standardin e jetesës, duke përdorur të Ardhurat Kombëtare Bruto për frymë të përshtatura për fuqinë blerëse. Vlerat lëvizin nga 0 në 1, ku pikët më të larta tregojnë zhvillim më të madh njerëzor. Shtetet ndahen në katër kategori: shumë e lartë (0.800 e lart), e lartë (0.700–0.799), e mesme (0.550–0.699) dhe e ulët (nën 0.550).

Ndër vendet e rajonit, Sllovenia prin me vendin e 21-të dhe indeks 0.931, e ndjekur nga Greqia në pozitën e 34-t me 0.908, Kroacia në të 41-in me 0.889, Mali i Zi në të 48-in me 0.862, Bullgaria në të 55-in me 0.845, Serbia në të 62-in me 0.833, Shqipëria në të 71-in me 0.810 dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 74-t me indeks 77.9.

Njëkohësisht, për shkak të metodologjisë së aplikuar në këtë indeks (PBB për frymë, treguesi i arsimit, jetëgjatësia), shumë ekonomistë e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tij, edhe pse aktualisht nuk ekziston një alternativë më e saktë. Kritikët argumentojnë se vendet më të pasura kanë automatikisht PBB më të lartë për frymë, çka u mundëson banorëve të tyre të jetojnë më gjatë në kushte më të shëndetshme, si dhe të kenë qasje më të mirë në shërbime shëndetësore dhe arsimore në krahasim me popullsinë e vendeve të varfra.

Megjithatë, shumë shtete me konsum relativisht të ulët, si Singapori, Japonia dhe Hong Kongu, pozicionohen shumë mirë në raport me vendet evropiane, konsumi i të cilave është dukshëm më i lartë. Indeksi i Zhvillimit Njerëzor u konceptua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1990 për të matur zhvillimin e shteteve dhe sot konsiderohet treguesi më i rëndësishëm për vlerësimin e mirëqenies sociale.


Shtuar më 2.11.2026 18:43