Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, mori pjesë sot në Samitin Parlamentar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillohet në Stamboll, Turqi, më 28 dhe 29 qershor 2026, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Të lidhura
None found
Takimi i AP-së së NATO-s, ku janë mbledhur kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me drejtuesit e delegacioneve parlamentare në AP-në e NATO-s, po mbahet në prag të Samitit të NATO-s që javën e ardhshme do të zhvillohet në Ankara, Turqi.
Në këtë samit foli edhe zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, e cila vlerësoi se rreziqet ndaj sigurisë dhe incidentet e penguara me sukses gjatë periudhës së fundit tregojnë se NATO-ja është e fuqishme dhe e aftë të mbrojë territorin e saj. Sipas saj, për këtë arsye duhet garantuar që kapaciteti mbrojtës i Aleancës të mbetet i fortë. Ajo shprehu edhe pritjen që në Samitin e NATO-s në Ankara, Turqi, të gjithë aleatët të paraqiten me plane konkrete për të përmbushur obligimin për të investuar pesë për qind të BPV-së në mbrojtje.
Në fjalën e tij, Gashi tha se në një botë të karakterizuar nga pasiguria, dezinformatat dhe tronditjet gjeopolitike, pesha e parlamenteve është sot më e madhe se kurrë. Ai nënvizoi se Samiti i Ankarasë duhet të japë një sinjal të qartë politik se NATO-ja është e bashkuar, lidhja transatlantike vazhdon të jetë e fortë dhe se neni 5 mbetet baza e sigurisë sonë kolektive.
“Bota po ndryshon me shpejtësi. Kjo është arsyeja pse NATO-ja duhet të mbetet jo vetëm e fortë, por edhe e shkathët dhe e gatshme të reagojë shpejt, me një vizion strategjik dhe procese zbatimi që do të përgjigjen me ritmin dhe kompleksitetin e kërcënimeve me të cilat përballemi”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është një aleate e NATO-s, e pozicionuar në një rajon strategjikisht të ndjeshëm, ndaj është thelbësore që investimet në Ballkanin Perëndimor të vazhdojnë përmes zgjerimit të mëtejshëm, thellimit të partneriteteve dhe forcimit të nismave të bashkëpunimit në siguri.

