Cezary Kucharski, ish-agjenti i Robert Lewandowskit, ka bërë të ditur se sulmuesi polak kishte shkuar shumë afër transferimit te Real Madridi, vetëm disa javë para se të zyrtarizohej lëvizja e tij e madhe te Bayern Munich.
Duke rrëfyer prapaskenat e asaj kohe, Kucharski tha se Lewandowski ishte i përgatitur të firmoste me “Los Blancos”.
Të lidhura
None found
“Po, Roberti ishte gati të nënshkruante kontratë me Real Madridin. Në thelb, ai donte ta anulonte kontratën me Bayernin dhe të transferohej te Real Madridi”.
Sipas tij, kushtet e ofruara nga klubi madrilen ishin afërsisht 20 për qind më të favorshme, por dallimi i vërtetë qëndronte te roli që Lewandowski do të kishte në secilin ekip.
“Kushtet te Reali ishin rreth 20 për qind më të mira. Por kjo bëri diferencën mes të qenit ylli kryesor te Bayerni dhe një zëvendësues te Real Madridi.”
Megjithatë, Kucharski theksoi se ishte pikërisht ai që e shtyu Lewandowskin të mos e pranonte ofertën e Real Madridit.
“Njerëzit rreth tij ushtronin shumë presion që të largohej. Unë mendoja se ishte e rëndësishme të mbanim fjalën e dhënë”.
Më tej, ai sqaroi edhe arsyetimin e tij për këtë qëndrim.
“Është më mirë të jesh numri një te Bayerni sesa lojtari i 11-të ose i 12-të te Real Madridi”, vazhdoi Kucharski.
Ai shtoi gjithashtu se interesimi i Real Madridit për Lewandowskin nuk ishte zhdukur as pas disa vitesh, duke kujtuar një bisedë që kishte zhvilluar në vitin 2018 me dorën e djathtë të Florentino Perezit.
“Më tha se nëse do ta hapja derën me Bayernin, ata do të ishin gati të bënin një ofertë serioze”, përfundoi ai.//
