Protestuesit po vijojnë marshimin rrugëve të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit ata u kanë bërë thirrje qytetarëve tu bashkohen, duke theksuar se do të vijojnë mobilizimin deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Gjatë marshimit protestuesit ftonin qytetarët t’i bashkoheshin tubimit me thirrje “Bashkohuni me ne”, “Çohuni nga kafja”. Një tjetër slogan që u përsërit vazhdimisht “Rama, jep dorëheqjen”, duke e cilësuar këtë si kërkesën kryesore të protestës.
Të lidhura
None found
KËRKESAT E PROTESTUESVE:
Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
