Autoritetet e Kosovës i kanë refuzuar hyrjen në Republikën e Kosovës kryetarit të Komunës së Nikshiqit në Mal të Zi, Marko Kovaçeviq.
Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se ky vendim lidhet me qëndrimet e tij të vazhdueshme kundër pavarësisë së Kosovës, si edhe me vlerësimet se prania e tij mund të shfrytëzohej për shpërndarje të mesazheve politike dhe propagandistike gjatë manifestimeve të Vidovdanit në Gazimestan.
Të lidhura
None found
Sipas të njëjtave burime, ndalimi i hyrjes është mbështetur edhe në vlerësime të sigurisë, me synimin që të parandalohen veprime që mund të nxisin tensione ose të dëmtojnë rendin publik gjatë aktiviteteve të planifikuara për Vidovdan.
Në arsyetimin zyrtar për refuzimin e hyrjes në Kosovë, që del nga dokumenti të cilin vetë Kovaçeviq e ka publikuar në rrjete sociale, thuhet se ai “konsiderohet se paraqet kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendhsme, shëndetin publik, apo marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Megjithatë, partia e tij, Demokracia e re serbe (NSD), e ka shfrytëzuar këtë ndalim për të dezinformuar në lidhje me institucionet e Kosovës.
“Ndalimi i hyrjes së Marko Kovaçeviqit në Kosovë është dëshmi e politikës antiserbe të Prishtinës”, kanë pretenduar ata, ndërsa mediat në Mal të Zi kanë raportuar për refuzimin e Kovaçeviqit për të hyrë në Kosovë.
Ky reagim ka ardhur pavarësisht faktit se Kovaçeviq ka kundërshtuar njohjen e shtetit të Kosovës dhe në deklaratat e tij publike i referohet vendit si “Kosovë dhe M…”. Ai gjithashtu ka mbështetur vazhdimisht qëndrimin zyrtar të Beogradit për Kosovën dhe është shprehur se Kosova është pjesë e Serbisë.
