Përmbytjet e frikshme në Gjermani e Belgjikë, shkon në 180 numri i viktimave (FOTO LAJM)

Ka shkuar në 180 numri i viktimave nga përmbytjet shkatërrimtare që “gjunjëzuan” Gjermaninë Perëndimore dhe Belgjikën këtë javë.

Fatkeqësisht numri i viktimave pritet të rritet në orët në vijim, pasi janë ende mijëra persona që konsiderohen të zhdukur. Mësohet se 156 persona kanë ndërruar jetë në Gjermani, mes të cilëve edhe katër pjesëtarë të forcave zjarrfikëse.

“Gjithçka është shkatërruar tërësisht. Nuk i njihni ende përmasat e dëmit”, tha mes lotëve Michael Lang, pronari i një dyqani verërash në qytetin e Bad Neuenahr-Ahrweiler in Ahrweiler.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier vizitoi Erftstadt, në jugperëndim të Këlnit, ku janë shënuar 45 viktima. “Ne ndajmë dhimbjen me ata, që kanë humbur pjesëtarë të familjes, miq e të njohur”, tha kreu i shtetit. “Fati juaj na dhëmb në zemër”, shtoi ai duke iu drejtuar të prekurve nga fatkeqësia.

Në qytetin me 50 mijë banorë uji ka nisur të tërhiqet, por tanimë po dalin në pah gjithnjë e më tepër pasojat. Në pastrimin e zonës nga mbetet po ndihmon edhe ushtria me autoblinda.

Kancelarja Angela Merkel këtë të dielë do të vizitojë zonat e përmbytura në Rheinland-Palatinate. Lajmi u konfirmua nga zyra e kryeministrit të landit në Mainc. Në zonat e prekura pritet të shkojë të hënën edhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer.

Përmbytjet e javës së fundit konsiderohen si një ndër tragjeditë më të mëdha e vdekjeprurëse që kanë goditur Gjermaninë në historinë moderne. Një tragjedi e krahasueshme vetëm me atë të vitit 1962 në Hamburg, ku si pasojë e përmbytjeve vdiqën 300 njerëz.


Shtuar 18.07.2021 08:21