Autoritetet ruse kanë hedhur poshtë raportimet për një rast të dytë të dyshuar të murtajës pulmonare në Siberi.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se pjesa më e madhe e pretendimeve të publikuara në media për këtë situatë janë informacion i rremë.
Sipas tij, të dhënat për rastet e dyshuara duhet të bazohen vetëm në njoftimet zyrtare të Rospotrebnadzor, autoritetit rus përgjegjës për shëndetin publik.
Më herët, Rusia konfirmoi vdekjen e një 28-vjeçareje që punonte në një institut kërkimor për murtajën në Irkutsk. Autoritetet thanë se ajo ishte diagnostikuar me pneumoni, ndërsa theksuan se shkaku i sëmundjes mbetej i panjohur.
Mungesa e transparencës së Moskës në trajtimin e çështjes ka rritur shqetësimet ndërkombëtare për një përhapje të mundshme të murtajës. Për këtë arsye, OBSH-ja i ka kërkuar Rusisë të japë më shumë informacion.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se organizata kishte marrë të dhëna nga dy media, përfshirë një burim rus, dhe se i kishte kërkuar Moskës një përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, vlerësojnë se rreziku për Shtetet e Bashkuara është i ulët dhe nënvizojnë se aktualisht nuk ka arsye për panik.





