Arsenali po lëviz me intensitet të lartë në tregun ndërkombëtar të transferimeve, duke rikthyer në fokus planet më të mëdha për forcimin e ekipit.
Në krye të listës së objektivave të “Topçinjve” është vendosur sulmuesi energjik i Aston Villas, Morgan Rogers, të cilin drejtuesit sportivë e shohin si përforcimin kryesor për ta mbajtur skuadrën në nivelin më të lartë konkurrues sezonin e ardhshëm. Aktiviteti i Arsenalit në merkato ndodhet në një fazë shumë intensive.
Të lidhura
None found
Siç ka raportuar fillimisht prestigjiozja britanike The Guardian, lojtari i ri anglez i konsideron vetëm dy alternativa për hapin e ardhshëm në karrierë: një kalim te Arsenali ose një transferim te Bayern Munichu përpara përfundimit të afatit kalimtar veror të vitit 2026.
Gjatë këtij muaji, drejtuesit e klubit londinez po punojnë pa ndërprerje, pasi janë të vetëdijshëm se Aston Villa mund të vihet në pozitën për të miratuar një largim të dhimbshëm, me qëllim respektimin e rregullave të kontrollit financiar të UEFA-s. Klubi nga Birminghami e njeh këtë situatë, por për yllin e tij ka përcaktuar një vlerë minimale prej 100 milionë eurosh.
Ndonëse burime pranë klubit sugjerojnë se Arsenali ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin për kushtet personale, analistët e Sky Sports kanë kërkuar maturi, duke nënvizuar se Aston Villa u ka komunikuar të gjitha skuadrave të interesuara se Rogers nuk figuron zyrtarisht në shitje.
Ndërkohë, gazetari i njohur italian Fabrizio Romano ka bërë të ditur në kanalet e tij zyrtare se përpjekja për ta dërguar Morgan Rogers në ‘Emirates Stadium’ po avancon me shpejtësi, duke e përshkruar si një operacion që tashmë ka hyrë në zhvillim të plotë.
Edhe raportimet e TEAMtalk janë në të njëjtën linjë, duke theksuar se oferta zyrtare e Arsenalit pritet të mbërrijë shumë shpejt në zyrat e Aston Villas.
Edhe pse Aston Villa ia rinovoi kontratën afatgjatë Rogers deri në verën e vitit 2031, në nëntor të vitit të kaluar, vullneti i futbollistit për të bërë hapin e madh së bashku me nevojat financiare të klubit duket se po e shtyjnë gjithnjë e më shumë situatën drejt një transferimi në Londër.
