Mbyllja e provimeve të Maturës Shtetërore ka rikthyer në vëmendje problematika serioze që, sipas vlerësimeve, po dëmtojnë jo vetëm arsimin, por edhe vetë strukturën shoqërore të vendit. Në vend që të shërbejë si një mekanizëm për matjen e njohurive të gjimnazistëve, ky proces po shfaq gjithnjë e më qartë tkurrjen e numrit të nxënësve dhe po nxit shqetësime për shpopullimin e vendit nga të rinjtë.
Të dhënat zyrtare pasqyrojnë një panoramë shqetësuese. Nëse në vitin 2016 kishte mbi 41,000 maturantë, aktualisht numri i tyre ka zbritur në rreth 26,600, çka përkthehet në një rënie afro 38%. Ndërkohë, rreth 4,000 prej tyre po kërkojnë dokumentacionin për të vijuar studimet e larta jashtë Shqipërisë.
Të lidhura
None found
Pedagogia Lili Sula, e cila drejton edhe Departamentin për Arsimin në Partinë Demokratike, deklaroi në një intervistë për “Ora News” se kjo rënie e fortë do të ndihet drejtpërdrejt në universitetet shqiptare, të cilat sipas saj do të përballen me auditore gjithnjë e më bosh, por edhe me mungesë të kapitalit intelektual dhe fuqisë punëtore në vitet që vijnë.
Sipas Sulës, largimi i të rinjve nuk është thjesht një tregues i një krize në arsim, por një proces që ajo e konsideron si çkombëtarizim të heshtur, me pasoja mbi mendimin kritik dhe jetën publike në vend. Ajo e lidh këtë zhvillim me një qasje të qëllimshme politike, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të largojë rininë nga angazhimi dhe reagimi ndaj pushtetit.
Në këtë kuadër, edhe projektet e fundit për zhvendosjen e kampuseve studentore jashtë Tiranës interpretohen prej saj si përpjekje për t’i mbajtur studentët larg vëmendjes publike dhe pjesëmarrjes aktive.
Një tjetër çështje që, sipas saj, mbetet problematike është besueshmëria e vetë provimeve. Edhe pse në disa qendra, veçanërisht në Tiranë, kontrollet janë shoqëruar me presion psikologjik mbi nxënësit, dalja e tezave në qytete të tjera e dëmton tërësisht vlefshmërinë e procesit. Në momentin që një tezë publikohet brenda 20 minutave të para, ajo mund të shpërndahet menjëherë në të gjithë vendin dhe të krijojë mundësi për abuzim.
Pasojat, sipas Sulës, reflektohen edhe te rezultatet. Në vitet e fundit janë evidentuar raste të pazakonta kur qindra nxënës me mesatare 5 gjatë gjimnazit janë vlerësuar me notën 10 në provimet e maturës.
Ky dallim i madh, sipas saj, cënon garën e ndershme dhe dëmton ata maturantë që kanë arritur rezultatet me meritë, sidomos në konkurrimin për pranimin në universitete.
Lili Sula vlerëson se formati aktual i Maturës Shtetërore nuk arrin të masë njohuritë reale të nxënësve. Për të, ky dështim konfirmohet edhe nga rezultatet e PISA 2022, ku Shqipëria u rendit shumë larg standardeve evropiane.
Ajo thekson se, nëse nuk ndërhyhet menjëherë me një sistem plotësisht digjital dhe transparent të testimit, matura rrezikon të mbetet vetëm një fasadë propagandistike që mbulon krizën reale të arsimit në vend.
Në intervistë, Sula u shpreh se publikimi i tezave është kthyer tashmë në një ritual të përvitshëm. Megjithatë, ajo nënvizoi se shqetësimi kryesor për këtë vit nuk është vetëm kjo dukuri, por rënia e thellë e numrit të maturantëve nga një vit në tjetrin.
Ajo tha se, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit shkollor ka mbi 2.000 maturantë më pak. Sipas saj, aktualisht janë 26.600 maturantë dhe 4.000 prej tyre synojnë studimet jashtë vendit, fakt që, siç u shpreh ajo, verifikohet nga kërkesat për listat e notave dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikimet në universitete të huaja.
Sula e cilësoi dramatike këtë situatë të përsëritur çdo vit, duke argumentuar se ajo do të reflektohet në universitete, ku në auditore do të ketë gjithnjë e më pak studentë të vitit të parë, por edhe në tregun e punës, ku do të mungojnë mësues dhe profesionistë të kualifikuar. Sipas saj, edhe cilësia bie kur numri i maturantëve zvogëlohet dhe kur më të mirët zgjedhin të largohen.
Ajo argumentoi se kur ka pak maturantë që konkurrojnë për universitetet dhe kur pjesa më e mirë aplikon për studime jashtë vendit, atëherë cilësia në universitetet e Tiranës dhe në institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend bie në mënyrë të pashmangshme.
Sipas Sulës, kjo lidhet me një politikë të mirëfilltë shpopullimi, e cila, sipas saj, çon drejt çkombëtarizimit. Ajo tha se ulja e numrit të maturantëve do të sjellë plakje të popullsisë, mungesë fuqie punëtore, mungesë të fuqisë intelektuale në tregun e punës dhe dobësim të artikulimit të mendimit publik e politik.
Në vijim, ajo vuri në dukje se, ndonëse protestat e sotme janë për t’u vlerësuar, gjatë këtyre viteve ka munguar mendimi i hapur publik, mendimi alternativ dhe gjykimi kritik. Sipas saj, shumë pak zëra kanë analizuar me sy kritik zhvillimet në vend.
Ajo deklaroi se largimi i të rinjve, që i konsideroi si e ardhmja e kombit, është një strategji për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të mos pasur një rini aktive. Në këtë kuadër përmendi edhe praninë e kryeministrit në Durrës për projektin e kampusit studentor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, duke e lidhur këtë me deklaratat e janarit për spostimin e studentëve të Tiranës drejt jetesës në Durrës.
Sipas saj, ekziston një interes i kryeministrit për t’i mbajtur të rinjtë larg vëmendjes publike, pasi studentët dhe rinia kanë dëshmuar historikisht se janë forcë reaguese dhe mund të përbëjnë kërcënim për një pushtet të gjatë.
Lidhur me menaxhimin e Maturës Shtetërore, Sula tha se duhen pritur statistikat e plota për të kuptuar se çfarë ka prodhuar ky proces në krahasim me vitet e tjera. Ajo nënvizoi se duhet parë sa real është vlerësimi dhe nëse mungesa e daljes së tezës në disa provime ka sjellë realisht përmirësim të cilësisë së notimit.
Sipas saj, këtë vit teza ka qenë deri diku më e siguruar dhe nuk ka dalë si në vitet e mëparshme që në 20 minutat e para të provimit. Megjithatë, ajo shtroi pyetjen nëse kjo ka sjellë vërtet një vlerësim cilësor dhe nëse notat e marra në provim përputhen me rezultatet e tre viteve të gjimnazit në letërsi, matematikë apo lëndët me zgjedhje.
Ajo kujtoi se edhe më parë ka pasur hendek të madh mes notës vjetore dhe rezultatit në maturë, duke sjellë si shembull rastin e para dy viteve, kur rreth 300 maturantë kishin diferencë prej 5 notash, nga nota 5 në notën 10.
Për Sulën, këto deformime të sistemit të vlerësimit ndikojnë jo vetëm tek ata që kanë kopjuar apo kanë përfituar nga dalja e tezës, por sidomos tek të gjithë maturantët e tjerë, të cilëve u dëmtohet konkurrueshmëria për regjistrimet universitare në shtator.
E pyetur nëse matura mat dijen reale apo vetëm aftësinë për t’u stërvitur me modele testesh, Sula u shpreh prerazi se nuk e mat. Sipas saj, në teori Matura Shtetërore duhet të vlerësojë rezultatet e akumuluara gjatë tre viteve të gjimnazit, por në praktikë kjo nuk ndodh.
Ajo iu referua vlerësimeve të PISA-s të vitit 2022, duke thënë se ato kanë nxjerrë në pah dobësinë e maturantëve shqiptarë, pasi vitin e kaluar përfunduan shkollën ata nxënës që ishin testuar në 2022. Ndërkohë, sipas saj, në 2025 janë testuar një tjetër grup 15-vjeçarësh që ndodhen në gjimnaz.
Sula tha se nuk mund të pritet që matura të japë pasqyrë reale të dijes, kur vetë rezultatet e PISA-s kanë dhënë alarm për rënie të fortë të performancës, deri në atë pikë sa Shqipëria nuk krahasohet as me vende që perceptohen si të prapambetura nga Evropa Perëndimore.
Në përfundim, ajo shprehu bindjen se matura duhet të reformohet në një sistem digjital dhe me format krejtësisht tjetër, në mënyrë që të masë realisht dijet e nxënësve. Sipas saj, procesi nuk duhet të shndërrohet në një shfaqje publike apo në propagandë qeveritare të mbështetur te masa ndëshkuese dhe kontrolle të imëta që krijojnë presion mbi maturantët.
Ajo theksoi se veçanërisht maturantët e Tiranës përballen me një tronditje psikologjike për shkak të kontrolleve të forta para hyrjes në provim, ndërsa në qytete të tjera situata ka qenë më e lirshme. Sipas saj, testet nuk kanë dalë përgjithësisht në gjimnazet e kryeqytetit, të paktën jo në ato kryesore, por në zona të tjera. Megjithatë, mjafton të dalë një kopje e tezës që ajo të bëhet publike brenda pak minutash për të gjithë Shqipërinë, për mësuesit dhe maturantët. Për këtë arsye, ajo ritheksoi se testimi i Maturës Shtetërore nuk është një matës real i dijes së fituar nga nxënësit ndër vite dhe nuk tregon me saktësi se çfarë kanë mësuar ata gjatë gjimnazit.
