Në shënimin e pesëvjetorit të shpalljes së Malit Sharr Park Nacional, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, qëndroi për vizitë në park, ku paralajmëroi investime të reja dhe qasje sistematike për mbrojtjen e tij.
Sipas Hoxhës, në pesë vitet e fundit është ngritur një mekanizëm modern dhe funksional për administrimin e njërit nga asetet natyrore më të çmuara të vendit. Ai theksoi se kjo është arritur falë angazhimit të përbashkët të institucioneve, banorëve lokalë dhe donatorëve.
Të lidhura
None found
“Qëllimi ynë është i qartë: zhvillim, por në harmoni me natyrën. Nuk do të lejojmë që fitimi ta shkatërrojë natyrën”, deklaroi Hoxha, duke bërë të ditur se është duke u përgatitur edhe një Strategji e Turizmit për zonën e parkut.
Ministri shprehu përkrahje për zbatimin e plotë të kompensimeve ekosistemike, duke sqaruar se të ardhurat e grumbulluara do të rikthehen drejtpërdrejt në park. Këto mjete do të përdoren për një mjedis më të pastër, përmirësimin e infrastrukturës malore dhe rritjen e kapaciteteve të rojtarëve të parkut.
Po ashtu, gjatë këtij viti, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr do të përfitojë mbështetje shtesë nga ministria për avancimin e kapaciteteve në zbulimin e hershëm dhe monitorimin e zjarreve pyjore, përmes investimeve në një objekt modern.
