Eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka nënvizuar se ecja përpara e Kosovës në procesin e integrimit evropian ka rëndësi të veçantë, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian të marrin në konsideratë progresin që vendet e rajonit po arrijnë në zbatimin e reformave.
Ai ka vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një hap thelbësor për Kosovën, duke e parë këtë si një mesazh të rëndësishëm si për qytetarët, ashtu edhe për institucionet e vendit.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë deklaratë të Riho Terras, Gazmend Halilaj ka thënë për “Bota sot” se bëhet fjalë për një zhvillim politik me peshë për pozitën e Kosovës karshi Bashkimit Evropian dhe rrugëtimit të saj integrues.
“Deklarata e eurodeputetit Riho Terras është një sinjal i rëndësishëm politik se Kosova po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje brenda institucioneve evropiane. Kërkesa që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nuk është vetëm një çështje simbolike, por një njohje e progresit që vendi ka bërë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike dhe reformat e vazhdueshme”, ka thënë ai.
Halilaj ka theksuar po ashtu se orientimi eurointegrues i Kosovës dhe proceset reformuese të brendshme po ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
“Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar përkushtim ndaj reformave dhe integrimit evropian, duke rritur besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe duke forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo mund të përbëjë një dritare të re mundësish për Kosovën, veçanërisht në një kohë kur Bashkimi Evropian po rishikon qasjen e tij ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Sipas Halilajt, pavarësisht zhvillimeve pozitive, rruga drejt Bashkimit Evropian vazhdon të përballet me vështirësi politike dhe diplomatike që e ngadalësojnë këtë proces.
“Megjithatë, pengesat mbeten të pranishme, duke filluar nga mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, sfidat që lidhen me dialogun me Serbinë dhe nevoja për vazhdimin e reformave të brendshme. Pavarësisht këtyre sfidave, mbështetja e figurave me ndikim në Parlamentin Evropian tregon se perspektiva evropiane e Kosovës është më e gjallë se kurrë dhe se vendi ynë duhet të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave dhe integrimit”, ka përfunduar Halilaj për “Bota sot”.
