Declan Rice pritet të vazhdojë të jetë pjesë qendrore e projektit të Arsenalit, pasi klubi londinez është pranë rinovimit të kontratës me mesfushorin anglez.
Të lidhura
None found
Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, diskutimet mes Arsenalit dhe përfaqësuesve të lojtarit kanë avancuar ndjeshëm dhe ndodhen tashmë në fazën përfundimtare.
Palët raportohet se kanë bërë progres të madh sa i përket pagës, ndërsa mbeten për t’u përcaktuar kohëzgjatja e marrëveshjes dhe disa detaje të fundit.
Drejtuesit e klubit janë optimistë për përfundimin me sukses të negociatave, pasi synojnë ta mbajnë Rice si një nga shtyllat kryesore të skuadrës për vitet në vazhdim.
27-vjeçari vlerësohet jashtëzakonisht shumë në ambientin e klubit, ku mbështetje të madhe gëzon si nga drejtuesit dhe trajneri Mikel Arteta, ashtu edhe nga shokët e skuadrës dhe tifozët.
Pas sigurimit të vazhdimësisë së Artetës, i cili ka firmosur marrëveshje deri në qershor të vitit 2030, Arsenali po përqendrohet tani te zgjatja e kontratës së një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit.
Rice kaloi te Arsenali në verën e vitit 2023, kur u transferua nga West Ham United për rreth 116.6 milionë euro. Marrëveshja aktuale e lidh atë me klubin deri në qershor të vitit 2028, por një kontratë e re pritet të nënshkruhet së shpejti.
Edhe në sezonin aktual, mesfushori anglez ka dhënë një kontribut të mirë, duke realizuar katër asistime në 10 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Nëse bisedimet mbyllen siç parashikohet, Arsenali do të garantojë qëndrimin afatgjatë të një prej lojtarëve kryesorë të tij, në përpjekje për të ruajtur konkurrueshmërinë në nivelet më të larta të futbollit anglez dhe evropian.





