Një operacion i Policisë së Shtetit në Sarandë ka çuar në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 punonjësve të policisë, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u bë pas denoncimeve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punime të paligjshme në lagjen nr. 1 të Sarandës.
Të lidhura
None found
Objekti përbëhej nga disa struktura, një pjesë e të cilave ishin ndërtuar edhe në ujë.
Policia arrestoi në flagrancë 8 persona që po punonin në objekt, ndërsa shpalli në kërkim një grua që dyshohet se posedonte hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës po kryheshin ndërtimet.
Pas ndërhyrjes së policisë, strukturat pa leje u prishën nga IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake.
Ndërkohë, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë e Sarandës, u ndaluan katër punonjës policie, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe mosveprim ndaj ndërtimit të paligjshëm.
Të ndaluarit janë:
Gëzim Bashllari
Andi Duro
Ajdin Ismailaj
Robert Çullaj
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tyre ka dyshime për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerje veprimesh arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e paligjshmërisë”.
Pas ndalimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të tyre nga detyra dhe nisjen e procedurave për përjashtimin nga policia.
Po ashtu është pezulluar edhe Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë hetimeve.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijojnë denoncimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për paligjshmëritë e konstatuara në terren.
Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.
Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Policia e Shtetit falënderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin.
