Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonë e Piacenzas në Itali, ku një 60-vjeçar me origjinë maqedonase, vrau bashkëshorten e tij brenda apartamentit ku jetonin.
Sipas mediave italiane, Hako Vitanov, telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 pas krimit, duke u thënë operatorëve: “Ejani, kam vrarë gruan time”. Më pas ai u largua nga banesa, duke humbur gjurmët.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas telefonatës, policia dhe karabinierët mbërritën në apartamentin e çiftit, në katin e gjashtë të një pallati në periferi të Piacenza.
Brenda sallonit, pranë divanit, u gjet trupi i pajetë i 56-vjeçares Milena Vitanova, i shtrirë në një pellg gjaku. Pranë trupit ndodhej edhe një thikë, që dyshohet se është përdorur në krim.
Sipas hetimeve të para, viktima kishte shenja të dukshme në duar, ç`ka lë të dyshohet se ka tentuar të mbrohej nga sulmi fatal. Autopsia pritet të zbardhë më shumë detaje mbi dinamikën e ngjarjes.
Ndërkohë, karabinierët nisën menjëherë kërkimet për autorin. Ai u gjet rreth dy orë më vonë në Cimitero Monumentale di Piacenza, pranë varrit të djalit të tij, i cili kishte ndërruar jetë disa vite më parë.
Mediat italiane raportojnë se 60-vjeçari kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke prerë damarët, por u neutralizua në kohë nga policia. Pasi mori ndihmën e parë nga ekipet e emergjencës, ai u shoqërua në komisariat dhe u arrestua.
Çifti kishte katër fëmijë. Dy prej tyre, sipas autoriteteve, ishin dërguar pak para krimit te një i afërm që banonte pranë shtëpisë së tyre. Ndërkohë, banesa është bllokuar dhe hetimet vijojnë.
