Fermerët nuk do të marrin më naftë pa taksa, Rama: Ka pasur abuzime për qëllime që s’lidhen me bujqësinë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrës të sektorit të përpunimit të vajit të ullirit në qytetin e Beratit.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama theksoi se objektivi kryesor është rritja e standardeve të prodhimit, në mënyrë që produktet shqiptare të jenë konkurruese dhe të tregtueshme në tregun e Bashkimit Europian.

Të lidhura

None found

Një nga çështjet më të diskutuara ishte edhe ndryshimi i politikës për furnizimin me naftë për fermerët. Kryeministri theksoi se fermerët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa, duke argumentuar se kjo skemë ishte keqpërdorur.

“Dalja nga kjo formulë nuk do të sjellë ulje të prodhimit,” u shpreh Rama, duke shtuar se nafta pa taksa në shumë raste ishte përdorur për qëllime që nuk kishin lidhje me bujqësinë.

Sipas tij, ndryshimi synon të rrisë transparencën dhe efikasitetin në mbështetjen ndaj fermerëve, ndërkohë që qeveria do të vijojë të ofrojë forma të tjera mbështetjeje për sektorin bujqësor.

“Nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë, sepse ne jemi përpjekur ta kthejmë atë nga disa anë. Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërsa fuqia prodhuese nuk e ka këtë lloj proporcioni. Në këtë kuptim, ne nuk kemi hequr mbështetjen për askënd, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk lidhen me bujqësinë. Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve janë detyruar ta marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve. Ne jemi detyruar të provojmë disa mënyra, dhe kjo tani vjen si rezultat i njohurive të formalizimit, i cili do t’ju japë mundësinë të keni më shumë mbështetje nga shteti dhe të përfitoni nga fondet evropiane. Një nga sfidat më të vështira të anëtarësimit në BE është siguria ushqimore. Standardet e sigurisë ushqimore duhet të garantohen. Unë besoj se shqiptarët kanë aftësinë të përshtaten, por duhet të fillojmë të punojmë që tani për atë që dëshiron Bashkimi Evropian. Ne duhet t’i përmbushim standardet si vend i BE-së”, u shpreh Rama.


Shtuar 10.04.2026 17:19

Tags: ,