E rëndë në Fushë-Arrëz/ Shkoi për të rregulluar defektin, punonjësi i kompanisë celulare gjendet i shtrirë pranë antenave, transportohet me helikopter drejt Traumës

Mëngjesin e sotëm, një ngjarje e rëndë është regjistruar në Fushë-Arrëz, ku një punonjës i një kompanie celulare është gjetur i shtrirë pranë antenave.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar një qytetar, i cili ka njoftuar për praninë e një personi të shtrirë në fshatin Krrabë.

Të lidhura

None found

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me emergjencën civile dhe ekipet shëndetësore, në zonën e njohur si Mida, ku ndodhen antenat.

Nga verifikimet paraprake është identifikuar shtetasi L. K., rreth 50-vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të riparuar një defekt në një prej antenave.

I plagosuri është transportuar me helikopter drejt Spitali i Traumës për ndihmë të specializuar mjekësore.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.