Ndreca rrëfen telefonatën me Ramën: Biseda sot pati tensione e fyerje, më fajëson për distancimin e Veliajt

Plarent Ndreca, avokati që mbron kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi në emisionin “Opinion” se kryeministri Edi Rama e kishte telefonuar sot dhe se komunikimi mes tyre ishte zhvilluar me tensione, deri në fyerje të rënda.

Sipas ish-deputetit të PS-së, Rama e konsideron atë nxitës të pavarësisë së Veliajt dhe të largimit të tij nga pushteti i kryeministrit.

Të lidhura

None found

Duke rrëfyer bisedën, Ndreca tha se kreu i qeverisë i kishte shprehur pakënaqësi për rolin e tij si këshilltar politik, pasi mendon se ai e ka shtyrë Veliajn të veprojë në mënyrë të pavarur nga Rama. Avokati sqaroi gjithashtu se mbrojtja ligjore e kryebashkiakut nuk përbëhet vetëm prej tij, por nga një grup i madh këshilltarësh.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur marrëdhënia mes Ramës dhe Veliajt duket se po kalon një periudhë jo të mirë. Kryebashkiaku ka pretenduar se kryeministri, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i ka bërë presion që të largohet nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të pranojë përfshirjen në protestat e flamengove.

Gogu e ka konfirmuar vizitën për ta takuar Veliajn në paraburgimin e Fierit, ndërsa pretendimet e tjera i ka hedhur poshtë.


Shtuar më 3.11.2026 00:09